E bindur që i plotëson të gjitha kriteret e kërkuara në konkurs, Mybera Mustafa mblodhi dokumentacionin e nevojshëm dhe aplikoi për drejtoreshë të përgjithshme të Spitalit Rajonal të Prizrenit.
Por, entuziazmi i saj u zbeh me vendimin përfundimtar të Komisionit Përzgjedhës. Mustafa pretendon se në pozitën e drejtoreshës është zgjedhur një kandidate, e cila nuk e ka përgatitjen e kërkuar akademike.
Se nuk ka thirrje akademike të profesorit, e as doktoraturë, siç kërkoheshin në konkurs, KIKS-it ia konfirmoi vetë drejtoresha e re. Madje, edhe klasifikimin specialistik nuk e ka në lëmenjtë, të cilët kërkohen në konkurs. Megjithatë, ajo insiston se i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara dhe se përgjegjësia për zgjedhjen e saj në këtë pozitë i takon komisionit të ShSKUK-së.
Ani pse Narqize Arrënliu – Hoxhaj ka qenë drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit gjatë mandatit të Mytaher Haskukës, ajo e mohon të ketë ndikuar dikush nga Lëvizja Vetëvendosje për përzgjedhjen e saj në këtë pozitë.
Nëse ka ndikuar dikush nga partia në pushtet për zgjedhjen e Arrënliut në këtë pozitë, KIKS ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Nga kjo ministri i thanë emisionit se nuk kanë qenë fare pjesë e procedurave.
Për padrejtësitë që pretendon se iu bën nga komisioni rekrutues, Mybera Mustafa ka angazhuar një avokat, i cili i tha KIKS-it se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizren kundër këtij komisioni. Muhamet Shalaj ushtroi edhe padi kundër ShSKUK-së për shkelje të kushteve të konkursit.
Nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë e kanë konfirmuar për KIKS-in se kanë pranuar kallëzim penal, respektivisht padi nga Mybera Mustafa për këtë çështje dhe se kanë nisur trajtimin e këtij rasti.