Shefi i BE-së në Kosovë: Kritikat për propozimin evropian të nxituara, Asociacioni sipas vendimit të Kushtetuteses

0
191

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka folur për marrëveshjen që do çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Szunyog ka thënë se nuk sheh asnjë pengesë për nënshkrimin e marrëveshjes bazuar në planin e BE-së.

Sipas tij, takimi i 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, u karakterizua me zhvillime të rëndësishme kur të dy palët pranuan pjesën politike të propozimit evropian.

“Në fakt nuk shoh asnjë pengesë tani. Thjesht, sepse jemi ende në proces negociatash. Një zhvillim shumë të rëndësishëm patëm të hënën kur të dy palët pranuan pjesën politike të propozimit evropian. Dhe unë mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Është një propozim që mbështetet nga të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe mbështetet fuqishëm nga SHBA-të, dhe jam i bindur se në fakt kjo është një marrëveshje e mirë për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin dhe për Evropën. Dhe do të sjellë rezultate të prekshme”, ka thënë ai për Radio Kontakt Plus.

I pyetur për kritikat në Prishtinë e Beograd lidhur me këtë propozim, Szunyog i quan ato të nxituara, sepse palët janë ende në proces negociatash.

Duke folur për Asociacionin, Szunyog thotë se plani i BE-së ka brenda zbatimin e Asociacionit.

“Komenti im është se marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe tashmë është arritur në vitin 2013, është ratifikuar nga shumica kushtetuese në Kuvendin e Kosovës dhe si e tillë nuk është vetëm obligim ndërkombëtar i Kosovës, por edhe obligim i brendshëm ligjor i Kosovës. Ne besojmë se kjo marrëveshje duhet të zbatohet sa më shpejt. Edhe në pjesën politike të marrëveshjes së arritur të hënën, ka një kërkesë specifike për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Dhe unë mendoj se ne jemi shumë të qartë për këtë. Kjo u riafirmua edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Evropian, që është takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. U përdor një fjalor specifik që kërkonte zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë atë për Asociacionin”, shprehet ai.

Por shefi i BE-së në Kosovë, thotë se Asociacioni duhet të bëhet vetëm sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

“Është për të ardhur keq që edhe Beogradi edhe Prishtina kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Por pikërisht kjo është arsyeja pse ne kemi dialog dhe dialogu është vendi ku duhet të diskutohen këto ide të ndryshme dhe të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje. Mendoj se kjo është diçka shumë e qartë. Ka obligime të qarta nga marrëveshja e vitit 2013, ka një kornizë të paraparë me legjislacionin e Kosovës, me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pra kemi një kornizë ligjore sipas së cilës mund të formohet Asociacioni. Kam folur me ekspertë juridikë, përfshirë juristë dhe ekspertë serbë dhe shqiptarë, kam ndjesinë se ka vend për kompromis”, është shprehur ai./GS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here