Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka shkruar në Facebook se janë bërë 2 muaj prej kur Bashkimi Europian i vendosi masa ndëshkuese Kosovës, të cilat ai i quan sanksione.
Selmanaj renditi pasojat që i erdhën Kosovës nga ndëshkimi i bllokut europian.
“Dita e 60 apo 2 muaj, që kur bota demokratike i vendosi sanksione shtetit tonë. Janë bllokuar miliona euro për projekte kapitale të nivelit qëndror; Janë bllokuar miliona euro për projekte kapitale për nivelin lokal; Janë bllokuar miliona euro për projektet për ndërmarrjet publike; Janë bllokuar njohjet dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare; Janë bllokuar vizitat e bartësve të institucioneve publike në shtetet demokratike dhe institucionet ndërkombëtare”, shkroi Selmanaj.
Deputeti shkroi se “në këtë gjendje e sjellë vendin e vet vetëm një mendësi qeverisëse KOMUNISTE, TOTALITARE dhe JO DEMOKRATIKE!”.