Konvertimi i patentë shoferëve të Kosovës në Gjermani, së shpejti priten ndryshime që i heqin provimet shtesë
Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë të ditur se është bërë kërkesa në Këshillin Fedaral që të miratohen ndryshime në rregulloren për provime shtesë gjatë konvertimit të patent shoferëve.
Sipas komunikatës për medie, projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet në njërën nga seancat e radhës në Bundesrat.
“Me qëllim të informimit korrekt dhe në kohë, dëshirojmë t`ju vëjmë në dijeni se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Republikës Federal të Gjermanisë i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) me datë 29 dhjetor 2021 të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e patent shoferëve, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Moldavisë”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se për lejet e drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës parashihet konvertimi i patent shoferëve pa provime shtesë në këto kategori: AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.
“Kjo projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet në seancat e radhës në Bundesrat dhe sapo të konkretizohet data e shqyrtimit do t`ju informojmë në kohë përmes kanaleve tona të komunikimit”, thuhet në fund. /Telegrafi