Schneeberg: Edhe nëse kishte gabim në përkthim Macron kërcënoi Kosovën me vizat, vazhdon ledhatimi i Serbisë

0
238

Këshilltarja lokale e BE-së, Kati Schneeberg ka thënë sot se edhe nëse deklarata e presidentit francez, Emmanuel Macron rreth çështjes së vizave kishte të bënte me një gabim në përkthim, prapë se prapë ajo në vetvete përmban një kërcënim rreth procesit të liberalizimit.

Schneeberg  thotë se “kërcënimi” në këtë rast shkoi vetëm për Kosovën, derisa në anën tjetër Serbia vazhdon të mos përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Edhe sikur të mos thuhej fjalë për fjalë, përsëri mund të dëgjohet shumë qartë kërcënimi i Macron: Ne ju dhamë liberalizimin e vizave dhe tani ju duhet të përmbushni kërkesat tona. Pasoja e mospërmbushjes u komunikua kështu shumë qartë mes rreshtave.

Dhe përsëri, bëhet fjalë vetëm për Kosovën dhe asnjëherë për Serbinë, e cila nuk ka interes të përmbushë pjesën e saj të marrëveshjes. Vuçiq aktualisht është duke lidhur kontrata me Kinën.

Politika e zbutjes ndaj Vuçiqit dhe përpjekja për ta lidhur atë më shumë me BE-në dhe për ta distancuar nga Rusia dhe Kina ka funksionuar vërtet mrekullisht. A jeni i kënaqur tani?”, shkruan ajo.

Deklarimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron një ditë më parë se janë pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën ka ngjallur reagime të shumta, por që më vonë u sqarua se ishte gabim në përkthim dhe se ky proces nuk është pezulluar.

Për këtë çështje foli dje edhe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila theksoi se institucionet franceze i kanë njoftuar se procesi i liberalizimit të vizave nuk është pezulluar.

“Besoj që tashmë është sqaruar. Neve edhe drejtpërdrejt na kanë njoftuar institucionet franceze, por një gjë e tillë sa e pash edhe nga deklaratat e shumta që ka qenë një lloj dallimi në përkthim, në fakt ky proces nuk është pezulluar, sepse ligjërisht as nuk mund të pezullohet nga një shtet”, tha Osmani. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here