RTK-ja në kthetrat e politikës. Fshi(e)së për profesionistët, e strehimore për “akraballëkun”

0
539

Dikur shembull për gjithsecilin qytetar, pasqyrë dhe dritare informimi, por sot, vegël për secilin e secilën që iu dha besimi në menaxhimin e Televizionit Publik. RTK-ja, si medium i parë dhe i vetëm në Kosovën e pasluftës, i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, ka gëzuar besim të madh nga popullata, e së bashku me besimin edhe niveli i shikueshmërisë ka qenë për lakmi. Qytetarët informatat e dorës së parë i merrnin nga Televizioni, i cili u tha se ishte i publikut ndër vite, por ky epitet i ka mbetur tashmë të së kaluarës, ngase mediumit më të besuar për vite i është zënë fryma, dhe është ngulfatur nga ata të cilët edhe ‘rrahnin gjoks’ se do e dërgonin televizionin aty ku edhe do duhet ta kishte vendin, në rangun e mediave (publike) si motra të rajonit e Evropës… Por, JO. Ato rrahje gjoksi të menaxherëve u shndërruan në damkosje e ‘gjakosje’ të RTK-së. Në emër të famës dhe përgjegjësisë që morën, ata e fundosen televizionin. E fundosën deri në atë masë sa për RTK-në vështirë se do të gjendjet ndonjë shkëndijë drite për t’u rimëkëmbur, për t’u ngritur, ndërtuar e funksionuar, ashtu siç do të duhej edhe të ishte.

Dikur dritare e besueshme informative, kulturore, shkencore, sportive e edukative, RTK-ja kohë të gjatë është shndërruar në vendstrehimi/ punësimi për dajallarë, teze, halla, dashnore, dhe akraballëk të apo militantë të partive politike, politikanëve e pushtetarëve. E karshi kësaj të keqeje, ata që me gojën plotë janë deklaruar të pa thyeshëm, të pa mposhtur dhe të pa lëkundur në vendime e qëndrime u dorëzuan, duke mbyllur gojë, sy dhe vesh. Iu dorëzuan të keqes, trysnisë së politikës e politikanëve, të cilët herë ngrihen në pushtet e herë rrëzohen nga kolltuku, porse për kërkesat dhe dëshirat e tyre bëhet ‘amin-i’. Ata që i zgjidhte pushteti në postet drejtuese u bënë vegël e tij, madje nga kabinetet e ministrave të caktuar dirigjoheshin redaktimet e emisioneve informative, duke i lënë në A(O)UT rubrikat tjera, e duke i dhënë grusht edhe misionit profesional e ligjor të këtij mediumi publik i financuar nga taksat e qytetarëve. Dhe kështu RTK, u bë instrument dhe zëdhënës i qeverive dhe politikës.

Kurse ata të cilët me gojën plotë kanë folur për etikën e medias asnjëherë të vetme nuk e kanë respektuar atë, madje me dy këmbë e kanë shkelur Kodit etik të miratuar nga vetë kolektivi i RTK-së. Ata të cilët është dashur dhe e kanë pas në përgjegjësi ti vlerësojnë të mirët, i kanë ngritur në pozita ATA, të cilët i kanë futur për ‘Dritare’ të afërmit e politikanëve e të pushtetit. Ndërkohë, ata të cilët është dashur ta ‘shqelmojnë’ të keqën dhe ti thonë STOP asaj, janë shndërruar në këpucë-lëpirës të pushtetarëve e politikanëve, për të cilët me raste villnin vrer. E situata në Televizionin Publik , falë ‘dorëzimit’ karshi të keqes, bëhet çdo ditë e më e rënduar. Bëhet më e rënduar ngase secili menaxhment që merrte detyrën kapte fshisën. Jo për ta pastruar pluhurin brenda objektit, as nevojtoret që kundërmonin e as në zyrat e veta, të cilat jo rrallë qenë shndërruar në prona private, por për t’i pastruar (larguar) punëtorët, të cilët kanë derdhë mund e djersë e kanë dhënë nga vetja krejt ç’ kanë mundur për ta mbajtur të informuar drejtë e me kohë publikun. Por, i kot ishte mundi, djersa, oraret e gjata apo puna pa orare, sepse pos ‘dashurisë’ dhe rehatisë për vetën, askush s’ka menduar për Vlerat. Vlerat profesionale, etike, morale e mbi të gjitha njerëzore.

RTK-ja e cila punësonte e punësonte njerëz me e pa kritere, me e pa konkurse , vetëm e vetëm me një telefonatë, madje urdhëruese nga ndonjë pushtetarë drejtuar kryeredaktorit, për t’ua punësuar filan fistekun, i plotësonin këto kërkesa, nuk kanë dashur ti ‘ruajn’ gazetarët që kanë kontribuar profesionalisht e me përgjegjësi për dekada. Udhëheqja e RTK përdori fshi(e)sën si asnjëherë më parë në pranverën e 2022-ës, kur nga puna largoi rreth 260-të punëtorë, shumica e të cilëve në marrëdhënie pune që nga përfundimi i luftës, ndonëse me kontrata mbi vepër fillimisht, e më pas me kontrata për shërbime (të posaçme një termë i çuditshëm thua se gazetarët janë agjentë të inteligjencës e jo gazetarë me (detyra të caktuara profesionale). Dhe kjo siç u tha asaj kohe u bë shkaku i mungesës së financave dhe reformave njëkohësisht,( qesharake) per ata që e njohin “zemrën” e Televizionit Publik.

Në mesin e të larguarve isha edhe unë, si korrespondente nga Prizreni me përvojë 20 vjeçare në Radio Kosova. Një E-mail, në fillim marsin e 2022-ës në adresën zyrtare, ma bëri me dije se kontrata më skadon me 31 mars “, dhe nuk do më vazhdohet. Por, ‘do të shpallet konkursi për korrespodent dhe do mund ti nënshtrohem’. Ishte kjo hera e tretë që do i nënshtrohem testit, fillimisht me shkrim e më pas me gojë. Për të parën herë në shkurtin e vitit 2002, kur edhe nisa bashkëpunimin. I përpiluar nga disa ish- kolegë që ishin punësuar pas meje në RTK, por që ishin ‘shpërblyer’ me pozita të larta(redaktoriale), e që dorën në zemër, testi me gojë fare pak apo aspak s’kishte të bënte me profesionin në televizionin publik, por kishte të bënte me Komision Evropian, e Këshillin e Evropës…, thuajse ne po konkurronim për ambasador. Sidoqoftë te dyja testet i kalova, por nuk u pranova me arsyetimin se kisha më pak pikë nga konkurrenti tjetër. Nuk ishte befasuese për mua, ngase një konkursi të ngjashëm për korrespondent të rregullt nëpër komunat më të mëdha të Kosovës, në mesin e të cilëve Prizreni, iu nënshtrova edhe në vjeshtën e vitit 2015-të dhe rezultatet e konkursit për çudi dolën tek pas 6 muajsh, pra në mars të 2016-ës. Asajkohe u larguan pa paralajmërim 13 korrespondentë nga pothuajse të gjitha komunat më të mëdha të Kosovës. Njoftimin morëm me E-mail për mos dëegim materialesh deri në një kohë të pa caktuar. Isha në pushim veror por lash në gjysmë me qëllim nënshtrimit të konkursit dhe aplikimin njëkohësisht. As aty nuk mora kontratë të rregullt, ani pse konkursi kishte këtë qëllim, e që ishte shkelje drastike e Ligjit të Punës dhe të atij për RTK. Nga marsi i 2016-ës për pesë vite radhazi unë paguhesha paushall, jo për punën që bëja, ndinëse kontrata specifikonte shumë çartë mënyrën e pagesës ,varësisht angazhimit, duke filluar nga lajmi, informata, raporti (ngjarje dite), kronika e zgjeruar, intervista, reportazhi etj. Por Jo, asnjëherë për pesë vite të plota nuk më është bërë vlerësimi si duhej, ndonëse asnjëherë nuk kam qëndruar gojëmbyllur karshi padrejtësive që më janë bërë dhe kërkimit të kontratës së rregullt, e rregullimit të pozitës siç do të duhej të ishte.

Atëherë iu drejtova Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të RTK-së, më saktësisht komunikova me kryetarin e saj, Fadil Hoxha, i cili edhe më aranzhoi një takim me ushtruesin e detyrës së drejtorit në Radio Kosova (fundi i vitit 2020 ) Erzen Këpuska. I tregova hallin dhe padrejtësitë që po më bëhen në vazhdimësi sa u përket financave…Shikuam bashkë edhe E-mailet zyrtare dhe komunikimin që kisha me eprorët e mi rreth shkeljeve flagrante të vlerësimit. Më premtoi se do e zgjidhte problemin dhe ashtu ndodhi. Por, për pesë vitet e punës që kam bërë dhe pagesës paushalle, askush nuk dha llogari asnjëherë të vetme. Dhe borxhi që RTK-a më ka, ka mbetur ende aty. Madje, ankesa ime u hesht duke u hedhur kështu në shportë të bërllokut.

Nuk ishte kjo ankesa e parë që kam bërë. I kam shkruar edhe Mentor Shalës- drejtorit të atëhershëm të përgjithshëm të RTK-së, Bordit të RTK-së, kryeredaktorëve, redaktorëve e shumë shpesh edhe organizatorëve të Radios, të cilët mbanin evidencën e punës sime. Nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ‘shefat’ përpos në raste tek-tuk kur rebelimi im ishte i lartë. Pavarësisht këtyre shkeljeve, unë kam punuar ngase isha mbajtëse e familjes dhe e ndieja për obligim që mos të dorëzohem, karshi së keqes, por të ‘luftojë’ për atë që e konsideroj timen ( parim jetësor). Këto shkelje ia përmenda edhe Shkumbin Ahmetxhekajt, përmes një E-maili, nga i cili kërkova takim, kur e mori ‘timonin’ e RTK-së… ndonëse më premtoi se do flisnim, as kjo nuk ndodhi. Thënë të drejtën iu gëzova ndryshimeve që u bënë asaj kohe në RTK, për faktin se do bëhej ndoshta më mirë për NE, të punësuarit me dekada, por me kontrata mbi vepër.

E tash pas 20 vitesh bashkëpunim me RTK-Radio Kosova dhe largimit mbi dy vite e gjysmë nga puna, pyes vetën se kush më ka vlerësuar, sa e kanë njohur profesionin, sa e kanë ‘rreh’ terrenin’, a kanë bërë ndonjëherë punë gazetari etj. Por, e kuptova pak vonë se nuk mund të të vlerësojnë ata që nuk e dinë se çka është gazetaria, etika, dhe misioni i saj. Nuk mund të të vlerësojnë ata, të cilët i kanë ngritur në pozita politikanët, komandantët e pushtetarët. Nuk mund të të vlerësojnë ata, të cilët nuk e dinë rëndësinë e punës, terrenit, rrezikut, shpenzimeve, kanosjeve, e madje në raste edhe kërcënimeve, etj. Ata që nuk kanë vetëdije, ndërgjegje e përgjegjësi.

E tash e kam kuptuar se jam larguar nga puna, sepse nuk kam qenë asnjëherë argat i politikes, dhe grupeve të tjera të interesit, por vetëm e profesionit dhe publikut. E kam kuptuar se jam larguar nga puna në shenjë hakmarrjeje ndaj prindit tim, Fahri Musliu, korrespondent shumëvjeçar i RTK-së nga Beograd, i cili ka qenë kritik ndaj dobësive profesionale, mungesës dhe shkeljes së etikës profesionale gazetareske dhe normave e moralit njerëzor, përgjegjësisë, ndaj sjelljeve primitive të stafit drejtues që Televizionin Publik e shndërruan në pronë private… Më shkurt, ndaj atyre që e kanë degraduar e baltosur median e quajtur e publikut, të cilën e shndërruar në “servis” të interesave të ngushta e miskine të politikës së caktuar, por që për fat të keq, asnjëherë e publikut nuk paska qenë. Dhe me që atij nuk kanë mundur ti bëjnë asgjë, këtë hakmarrje e realizuan me mua.

Jam larguar jo për mos punë, mos angazhim e mos cilësi. Përkundrazi, për vite të tëra kam qenë si korrespondentja më e vlerësuar ( me notë maksimale) në fund çdo viti, sa i përket performancës, por në Kosovën tonë është bërë zakon se të jesh profesionist, i shkëlqyer në punë, bashkëpunues, njeri me integritet të lartë moral e kode të rrepta njerëzore e profesionale, nuk je i mirë. ‘Të mirë’ konsiderohen ata që vjedhin, rrejnë, manipulojnë e shantazhojnë, ata që kopjojnë e ata që i nënshtrohen të keqes, që janë oportunist dhe indiferent.

E sot, më shumë se kurrë, kur shoh distancimin e kolegëve gazetarë në RTK – për informatat pa peshë që plasohen, kryesisht në edicione informative, me vendim të ‘shefave’, e u ndalohet transmetimi atyre me peshë, vetëm e vetëm për teke të redaktorëve, për interesa të tyre personale e partiake dhe largohen nga transmetimi lajmet me rëndësi për publikun, kuptoj se mediumi publik po vazhdon të redaktohet nga klanet politike, e jo nga ata të cilët kanë një biografi të suksesshme profesionale, janë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, me autoritet e integritet të lartë dhe janë të pa kompromis në mbrojtje të profesionit dhe misionit që ka RTK. Ata që do të duhej të largoheshin ende po qëndrojnë aty. Ndërsa, punëtorët e zellshëm nuk kanë vend në këtë vend të pa vend.

Shkruan: Valbona MUSLIU – Gazetare nga Prizreni

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here