Rruga drejt një arsimi funksional/ Erblina Kallabaku tregon si mund t’i ndihmojmë nxënësit të zgjedhin rrugën e duhur

0
177

Erblina Kallabaku, këshilltare për orientim karriere në shkollë, në një intervistë për gazetën “Bota sot”: ndan vlerësimet dhe përvojat e saj lidhur me sistemin arsimor në Kosovë, sidomos në kontekstin e rezultateve të dobëta në testet ndërkombëtare PISA.

Sipas Kallabakut, problemi kryesor në arsimin e Kosovës është mungesa e praktikës dhe zhvillimit të mendimit logjik gjatë procesit mësimor.

Kallabaku thekson se mënyra tradicionale e mësimdhënies, infrastruktura e dobët shkollore dhe mungesa e bashkëpunimit efektiv mes institucioneve arsimore e politikave vendore janë pengesa kryesore për avancimin e arsimit.

“Bota sot”: Që nga paslufta, arsimi në Kosovë është kritikuar vazhdimisht, veçanërisht pas rezultateve të testit PISA. Si e komentoni?

Erblina Kallabaku: Sipas përvojës time shumëvjeçare si trajnere dhe në shkollën private si zyrtare për ngritjen e fondeve dhe asistente e drejtorit ekzekutiv në institucione arsimore, si dhe si koordinatore e projekteve në fushën e arsimit dhe mësimit dual, mund të them se problemi kryesor në arsimin në Kosovë qëndron në mungesën e praktikës dhe zhvillimin e mendimit logjik gjatë procesit mësimor. Testet PISA tregojnë se nxënësit kanë vështirësi në aplikimin logjik dhe funksional të njohurive. Për më tepër, kurrikulat nuk janë të përshtatura me nevojat e tregut të punës, dhe mungon trajnim i vazhdueshëm për mësimdhënësit. Një sfidë shtesë është politizimi i menaxhimit të shkollave, ku shpesh punësimet bëhen mbi bazë politike dhe jo meritokratike, gjë që ndikon negativisht në cilësinë e mësimdhënies dhe drejtimin e institucioneve arsimore. Këto faktorë tregojnë nevojën për reforma të thella dhe përforcim të kapaciteteve profesionale në arsim.

“Bota sot”: Ku mendoni se qëndron problemi kryesor në sistemin arsimor?

Erblina Kallabaku: Në Kosovë, mënyra e mësimdhënies është shpesh tradicionale, e bazuar kryesisht në transmetimin e njohurive nga mësuesi te nxënësi, me pak fokus në zhvillimin e mendimit kritik, kreativitetit dhe aftësive praktike. Në shumicën e vendeve, infrastruktura shkollore është e mangët; mungojnë mjete moderne si tabelat digjitale, laboratorë shkencorë dhe teknikë, kabinete informatike, biblioteka, sallë sporti, kantinë, si dhe tualete të rregulluara dhe të pastra. Gjithçka kjo e pamundëson zbatimin e metodave bashkëkohore dhe interaktive. Zbatimi i kurrikulave në praktikë mbetet i dobët, për shkak të mungesës së trajnimeve të vazhdueshme për mësimdhënësit dhe mungesës së mbikëqyrjes së cilësisë së mësimdhënies.

Një nga problemet më serioze mbetet mungesa e bashkëpunimit efektiv ndërmjet MASHT-it dhe Drejtorive Komunale të Arsimit, ku shpesh vendimmarrja ndikohet nga interesa politike. Rasti konkret është Komuna e Prizrenit, ku ndonëse Udhëzimi Administrativ për këshilltarët e karrierës ka hyrë në fuqi që në vitin 2023, dhe duke pasur parasysh se Prizreni është komuna e dytë më e madhe në Kosovë për nga numri i banorëve, me mbi 23,000 nxënës, DKA në Prizren ende nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndërkohë, shumica e komunave të tjera tashmë kanë filluar të emërojnë koordinatorë të karrierës në DKA dhe SHMF.

“Bota sot”: Sa mendoni se mund të ndikojë roli i këshilltarit të karrierës në përmirësimin e rezultateve dhe orientimin më të mirë të nxënësve?

Erblina Kallabaku: Roli i këshilltarit të karrierës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin personal, akademik dhe profesional të nxënësve, si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme, siç është praktika në shumë vende evropiane. Në shkollat fillore, këshilltarët ndihmojnë fëmijët në zhvillimin e vetëdijes për aftësitë dhe interesat e tyre që nga mosha e hershme, duke rritur motivimin dhe duke i orientuar ata drejt rrugës së duhur arsimore. Përveç orientimit akademik, këshilltarët ndihmojnë edhe në zhvillimin e aftësive jetësore të nevojshme, si menaxhimi i kohës, përgatitja për tregun e punës dhe integrimi shoqëror. Kjo ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e rezultateve dhe në mundësinë që nxënësi të ndërtojë një karrierë të suksesshme.

Sipas Udhëzimit Administrativ nr. 18/2023 të MASHTI-t, çdo Drejtori Komunale e Arsimit (DKA) duhet të emërojë një koordinator për këshilltarët e karrierës, që të sigurojë zbatimin e këtij shërbimi nëpër institucionet arsimore. Në Kosovë, kjo pozitë është tashmë e përhapur në shkollat e ciklit të mesëm, ku këshilltarët për karrierë janë pjesë e sistemit arsimor dhe kanë përgjegjësi të qarta sipas standardeve dhe planeve vjetore të MASHTI-t.

Megjithatë, situata në komunën e Prizrenit paraqitet më e mangët; përveç tri shkollave të mesme që kanë filluar ta aplikojnë këtë shërbim, shumica e shkollave fillore dhe të mesme nuk kanë ende koordinim adekuat nga ana e DKA-së. Kjo ndikon negativisht në mundësitë e orientimit të mirëfilltë të nxënësve dhe në përmirësimin e rezultateve të tyre. Pa një mbështetje të plotë institucionale dhe koordinim aktiv, shumë nxënës rrezikojnë të marrin vendime të papërshtatshme për shkollimin e tyre, që mund të shkaktojnë frustrim, ndryshime të shpeshta drejtimesh apo madje braktisje të shkollës.

Përfundimisht, fuqizimi i rolit të këshilltarit të karrierës në të gjitha nivelet e arsimit, përfshirë shkollat fillore, dhe zbatimi i plotë i udhëzimeve administrative nga MASHTI dhe DKA-të, është një hap kyç drejt përmirësimit të rezultateve dhe orientimit më të mirë të rinjve në Kosovë.

“Bota sot”: A janë nxënësit e shkollave të mesme të informuar mjaftueshëm për opsionet që ofron sistemi arsimor në Kosovë?

Erblina Kallabaku: Jo, nuk janë të informuar mjaftueshëm; shumica zgjedhin drejtimin e studimit për shkak të ndikimit të shoqërisë ose familjes, e jo bazuar në informacione të sakta dhe të plota. Prandaj, shpesh u mungon orientimi praktik – si për tregun e punës, bursat, praktikat profesionale apo opsionet jashtë vendit. Andaj, çdo vendim i marrë pa informacion të mirë ka më shumë gjasa të mos jetë vendimi i duhur.

“Bota sot”: A mendoni se arsimi profesional është i nënvlerësuar në Kosovë, dhe nëse po, pse ndodh kjo?

Erblina Kallabaku: Po, arsimi profesional vazhdon të jetë i nënvlerësuar në Kosovë. Shumica e nxënësve të shkollave të mesme të ulëta nuk janë të informuar mjaftueshëm për opsionet që ofron sistemi arsimor në vend. Shumë e konsiderojnë atë si një alternativë të dytë, për nxënësit që nuk arrijnë të regjistrohen në gjimnaz, një perceptim i gabuar dhe i dëmshëm për zhvillimin e tregut të punës. Për më tepër, të rinjtë shpesh zgjedhin drejtimin shkollor nën ndikimin e familjes ose shoqërisë, pa u bazuar në informacione reale dhe të plota.

Mungesa e orientimit praktik lidhur me tregun e punës, bursat, praktikat profesionale dhe mundësitë jashtë vendit përbën një problem të dukshëm. Për pasojë, vendimet e nxënësve shpesh nuk janë të mirë-informuara dhe kanë më shumë gjasa të jenë të papërshtatshme për të ardhmen e tyre profesionale.

“Bota sot”: Sa është i zhvilluar shërbimi i këshillimit të karrierës në shkollat dhe universitetet e Kosovës?

Erblina Kallabaku: Në letër, ky shërbim ekziston, por në praktikë është ende shumë i kufizuar. Ka shkolla që kanë këshilltarë për karrierë, por ka edhe të tjera që nuk e kanë fare këtë pozitë. Edhe aty ku ekziston, këshilltarët zakonisht janë të mbingarkuar dhe pa përgatitje të mjaftueshme profesionale. Në ciklin e mesëm të ulët, ky shërbim nuk praktikohet, ndërsa në universitete gjendja është edhe më e dobët, pasi këshillimi për karrierë nuk është i integruar në sistem dhe mungojnë kuadro të mjaftueshme, ndonëse nevoja për këtë shërbim është shumë e madhe.

“Bota sot”: A ka nevojë për më shumë investim në këshilltarë të karrierës në nivelin parauniversitar dhe universitar?

Erblina Kallabaku: Po, patjetër që kemi nevojë për më shumë këshilltarë, të cilët duhet të jenë të kualifikuar dhe të trajnuar në mënyrë profesionale. Pse jo, ky rol të përfshihet edhe në programet e fakulteteve të edukimit, ose MASHTI të bëjë marrëveshje me vendet e rajonit që kanë shërbime më të forta dhe funksionale, në mënyrë që këshilltarët të fitojnë njohuri të thella për tregun e punës, motivimin dhe orientimin psikologjik. Ky investim ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e nxënësve.

“Bota sot”: Cilat janë, sipas jush, sfidat më të mëdha me të cilat përballen të rinjtë në sistemin arsimor sot në Kosovë?

Erblina Kallabaku: Sfida kryesore është se arsimi nuk lidhet me tregun e punës. Shumica përfundojnë shkollimin me diploma, por pa aftësi praktike. Tekstet jo cilësore, metodat e dobëta të mësimdhënies, motivimi i ulët dhe mungesa e përkrahjes për zhvillim personal janë probleme të përditshme. Për më tepër, shumë të rinj e shohin emigrimin si zgjidhje më të shpejtë sesa investimi në vetvete brenda vendit./Bota Sot/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here