Një vendim i menaxhmentit të “Loyola Gymnasium” në Prizren mbi rritjen e pagesës për shkollim nuk është pritur mirë nga një pjesë e prindërve të fëmijëve në këtë institucion arsimor.
Siç ka mësuar 04 Online, ky vendim ju ka kumtuar prindërve në fund të gjysmëvjetorit të parë. Ndonëse Përfaqësuesi i Prindërve ka bërë shumë përpjekje që me Bordin e Shkollës të gjejnë një gjuhë të përbashkët që kjo rritje të mos ndodh në këtë kohë, kjo nuk ka ndodhur.
E si rrjedhojë, 04 Online e ka siguruar letrën të cilën drejtori ekzekutiv, Giseiher Wolte ua ka dërguar prindërve, në të cilën ai ka thënë se fatkeqësisht është dashur që të merret ky vendim, për siç ka thënë, për të rritur lehtësisht tarifat e shkollës për të gjitha institucionet pranë ALG-së.
“Pas shumë e shumë konsideratash e diskutimesh intensive, fatkeqësisht na u desh të merrnim vendimin për të rritur lehtësisht tarifat e shkollës për të gjitha institucionet pranë ALG-së”, thuhet në mes tjerash në letrën e ëolte.
Si më poshtë ua prezantojmë letrën e plotë të Wolte, në të cilën janë të përfshira edhe arsyetimet tjera për këtë ngritje të pagesës.
Por, siç ka mësuar 04 Online, një pjesë e prindërve që i kanë fëmijët duke u shkolluar në këtë institucion arsimor këtë vendim e kanë quajtur të padrejtë, pasi ata veç kanë nënshkruar kontratat një vjeçare për shkollimin e fëmijëve të tyre.
“Nuk kanë të drejtë me ndryshu çmimin në mes të vitit, sepse kanë kontratë 1 vjeçare”, ka thënë për 04 Online një prind në kushte anonimiteti.
Edhe një prind tjetër është shprehur absolutisht i pakënaqur me këtë rritje, duke paralajmëruar se pagesat do të vazhdoj t’i bëjë në përputhje me kontratën e nënshkruar.
“Ne hiq nuk jemi dakort me rritjen e çmimit, sepse ne e kemi nënshkruar kontratën dhe nuk cek asnjë nen që mundet me ja rrit çmimin kur dëshiron shkolla. Ne jemi kundër dhe do të vazhdojmë ta bëjmë pagesën në përputhje me kontratën si e kemi nënshkruar”, ka thënë një prind tjetër në kushte anonimiteti.
Madje një prind tjetër, njoftimin për rritjen e çmimit e ka quajtur rritje arbitrare dhe jo korrekte.
“Ne jemi pajtuar në fillim të vitit për kushtet e pagesës dhe çmimin total, kjo për mua konsiderohet kontratë mes dy palëve. E tash ky njoftim për rritje arbitrare të çmimit për një kontratë ekzistuese të pajtuar mes palëve të kërkohet më duket jo korrekte”, ka thënë një prind tjetër në kushte anonimiteti.
Duke marrë për bazë këto reagime dhe njoftimin zyrtar të Asociation “Loyola – Gymnasium”, 04 Online të mërkurën me datë 10. 01. 2024 në ora 21:07 iu është drejtuar zyrtarisht udhëheqjes të kësaj shkolle, që brenda mundësive të japin sqarime pse ka ardhur deri te kjo rritje e çmimit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kemi pranuar asnjë përgjigjje zyrtare.
Ndonëse zyrtarisht kjo shkollë është në pushim dimëror, shpresojmë që të hënën ku edhe pritet të nisë gjysmëvjetori i dytë, do të mund t’ë’i dërgojnë përgjigjjet për pyetjet e adresuara nga ana jonë./04 Online