Rreziku është prezent / Haradinaj pas takimit me Osmanin: Të bashkëpunojmë me aleatët për të shpëtuar jetë

0
165

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ku prezent ishte edhe shefi i AKI-së Petrit Ajeti, tha se rreziku i sigurisë është prezent në vendin tonë, duke thënë se për këtë institucionet e Kosovës edhe politikisht duhet të bashkëpunojnë me aleatët e sigurisë.

Haradinaj tha se pas sulmit terrorist në veri të vendit duhet të ketë një koordinim të të gjithëve.

“Kosova edhe në të kaluarën është përballë me rreziqe të sigurisë. Kjo që ndodhi tani është terrorizëm i pastër. Është e logjikshme të bashkëbisedohet në situata të tilla të sigurisë për shkak se rreziku për sigurinë vazhdon edhe më tutje. Pra është prezent rreziku. Nuk guxojmë të bëjmë punën ndaras, duhet të bëjmë kujdes në etapat e tjera ose në rreziqet e ardhshme të jemi sa më të bashkuar në aleatët tonë të sigurisë. Për me e ruajt jetën të atyre që i shërbejnë atdheun. Edhe Afrimi është vëllai i dikujt, bashkëshort e baba i dikujt. Nëse rrisim bashkëpunimin me aleatët tonë të sigurisë, shpëtojmë jetë. Kur kemi edhe besimin politik”, tha Haradinaj para gazetarëve.

Haradinaj tha se institucionet e sigurisë të vendit u treguan të suksesshme, por se të njëjtën duhet ta bëjënë edhe politikanët në pushtet.

“Institucionet e sigurisë të Kosovës, si ato civile si ato të uniformuara, e kanë bërë punën në mënyrën më të mirë, mjaft të suksesshme. Por, duhet të bëjmë kujdes. Edhe vendimmarrësit politikë ta kryejnë me sukses pjesën e vet. Duhet ndihmesa politike. Duhet një kurs politik i besueshëm në aleatët”.

Ish-kryeministri tha se duhet që të kryhen edhe hetime për të vërtetuar atë që dihet se Serbia qëndron pas sulmit terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku.

“Serbia nuk fshihet pas, nuk e fsheh faktin se është sponzorizuse e trajnuese dhe u ka dhënë udhëzimet këtij grupi terrorist. Të zhvillohet një hetim dhe të vërtetohet që Serbia është prapa këtij sulmi edhe pse shihet dhe dihet, por duhet edhe nga hetuesit ndërkombëtarë. Me mundësi edhe të një gjykate ashtu siç ka ndodhur në Kosovë”.

Haradinaj tha se një situatë e tillë është mjaft komplekse dhe se etapat që vijnë kërkojnë një koordinim të të gjithëve.

“Askush nuk duhet të mungojë për të bërë pjesën e vet, askush në Kosovë. ne do ta kryejmë detyrën tonë në shërbim të vendit. Kemi nevojë për aleatët e sigurisë. Vetëm imagjinoni nëse aty në veri të mos ishte KFOR-i, ushtarët amerikanë. Pra, kini parasysh. Është mjaft e mirëseardhur që e kemi KFOR-in atje, si dhe EULEX-in”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here