Amir Rrahmani nuk e di ende nëse do t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës për ndeshjen e së dielës kundër Izraelit.
Qendërmbrojtësi kosovar foli për këtë çështje mbrëmë në “zona-mix” pas ndeshjes me Union Berlinin në Ligën e Kampionëve.
UEFA ka vendosur që ndeshje e shtyrë e muajit të kaluar, Kosovë – Izrael, e vlefshme për kualifikimet e Euro 2024, të luhet këtë të diel, në një fundjavë kur ligat vazhdojnë të luajnë, shkruan “Gazeta Express”.
Pikërisht në fundjavë, Napoli do të luajë me Empolin në Serie A, por përfaqësuesi kosovar nuk e di nëse do të jetë prezent në këtë lojë apo do t’i bashkohet Kombëtares.
“A do ta humbi ndeshjen Napoli – Empoli për shkak të Kombëtares? Nuk e di ende, jemi duke e vlerësuar”, deklaroi Rrahmani për “TuttoNapoli”.
Orari i vendosur nga UEFA për ndeshjen Kosovë – Izrael ka prishur jo pak punë për klubet ku luajnë përfaqësuesit kosovarë.
Për shembull, La Liga ka vendosur ta shtyjë lojën e Mallorcës, me kërkesë të klubit spanjoll, vetëm për shkak të Vedat Muriqit, i cili duhet t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës për ndeshjen e së dielës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Nuk dihet ende nëse yjet tjerë të Kombëtares do të zbarkojnë në Prishtinë për ndeshjen me izraelitët apo vetëm për dy duelet tjera të këtij muaji, ndaj Zvicrës dhe Bjellorusisë, më 18 e 21 nëntor.