Karrierës së Marco Reusit në Borussia Dortmund po i vjen fundi dhe nuk ka mënyrë më të mirë për ta përfunduar sesa me një rikthim në stadiumin “Wembley”, 11 vjet pasi humbi atje në finale të Ligës së Kampionëve.
Dortmundi mundi Paris Saint-Germain, me rezultat të përgjithshëm 2-0, për të arritur në finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 2013, kur ata humbën ndaj Bayern Munich.
34-vjeçari i cili iu bashkua Dortmundit në vitin 2012, do të largohet në fund të sezonit duke fituar dy Kupa të Gjermanisë, por ai ende nuk e ka fituar Bundesligën ose Ligën e Kampionëve.
“E papërshkrueshme. Pas më shumë se 10 vitesh, jam sërish në finale me Borussia”, tha Reus.
“Ousmane (Dembele) dhe Achraf (Hakimi) sollën një ritëm të jashtëzakonshëm dhe ne vuajtëm shumë”.
“Si e fituam ndeshjen, askush nuk do të pyesë nesër. Shtyllat nuk do të kenë rëndësi nesër. Ajo që ka rëndësi është se Borussia Dortmund është përsëri në finale. Askush nuk e priste këtë. Është thjesht e pabesueshme”, u shpreh Reus.
Ata në finale do të takohen me Real Madrid ose Bayern Munich, sfidë që zhvillohet në Bernabeu të mërkurën pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë.
Finalja do të zhvillohet me datën 1 qershor të këtij viti në “Wembley” të Londrës.