Që të mos kuptohet çdo gjë si në thënien “delja gjithë jetën ka frikë nga ujku dhe në fund hahet nga ai që ka më shumë besimin, bariu”, në këtë drejtim, anomalia destruktive si trafikimi i qenieve njerëzore duhet të parandalohet ose të paktën të zvogëlohet me angazhimin e gjithë shoqërisë.
Trafikimi i qenieve njerëzore ose forma moderne e skllavërisë është një fenomen global që prek të gjitha vendet dhe nënkupton mbajtjen e një personi me qëllim shfrytëzimi, si dhe të gjitha veprimet e tjera që mund të jenë pjesë e atij procesi (transportimi, fshehja, ruajtja, etj).
Kur bëhet fjalë për trafikimin e fëmijëve, nuk ka rëndësi se çfarë mjetesh janë përdorur, dmth., e kemi fjalën për trafikim të qenieve njerëzore edhe pse nuk ka patur elemente kërcënimi, shtrëngimi, shpërdorimi të pozitës, e të ngjashme. Gjithashtu, pëlqimi i viktimës për shfrytëzim nuk e ndryshon faktin që bëhet fjalë për trafikim njerëzor dhe është njësoj krim i rëndë.
Numri i fëmijëve që bëhen viktima është fatkeqësisht në rritje.
Një nga stereotipet e zakonshme që janë krijuar është mendimi se trafikantët i ekspozojnë viktimat e tyre ekskluzivisht ndaj shfrytëzimit seksual dhe se vetëm gratë dhe vajzat janë të rrezikuara, ndërsa format e tjera të shfrytëzimit neglizhohen, siç është shfrytëzimi i punës, viktimat e të cilit janë kryesisht meshkujt.
Pra, fakti është se çdokush mund të jetë viktimë e trafikimit – burra dhe gra, djem dhe vajza, pavarësisht nga origjina e tyre, mosha, kombësia, arsimimi, statusi social apo ndonjë specifikë tjetër.
Trafikanti abuzon me besimin dhe dëshirën e viktimave për një jetë më të mirë. Mënyrat e rekrutimit janë të ndryshme, janë krijuese dhe të ndryshueshme, por e përbashkëta e të gjithëve është premtimi për një punë të mirë, një jetë më të mirë dhe përmbushje të ëndrrave. Shpesh njerëzit hyjnë në zinxhirin e trafikimit të qenieve njerëzore ndërkohë që kërkojnë punë, oferta për kujdesin e fëmijëve dhe mësimin e gjuhës jashtë vendit ose modeling, aranzhime udhëtimi ose oferta për edukim të vazhdueshëm.
Besohet se vajzat bëhen viktima të trafikimit të qenieve njerëzore sepse janë naive, por realiteti na tregon se ato pranojnë oferta që në fund të çojnë në trafikim njerëzor sepse nuk shohin rrugë tjetër për të zgjidhur problemet e tyre ekzistenciale, për të arritur një jetë më të mirë pa dhunë, jetë në paqe dhe stabilitet. Ofertat e bëra nga trafikantët zakonisht nuk janë joreale, ato janë më të mira në raport me kushtet e punës në vendin ku jeton viktima.
Vetë viktimat shpeshherë nuk janë të vetëdijshëm se janë viktima, ndjejnë se janë fajtorë për gjithçka që u ka ndodhur, ndjejnë turp të madh për punën që duhet të bëjnë dhe nuk e dinë se ku mund të kërkojnë ndihmë.
Barrierat gjuhësore, frika nga trafikantët e tyre ose frika nga (mos)zbatimi i ligjit, dënimi evenutal , shpesh i pengojnë viktimat të kërkojnë ndihmë, duke e bërë trafikimin e qenieve njerëzore një krim të fshehtë.
“Bota është një vend i rrezikshëm, jo për shkak të atyre që bëjnë të këqija, por për shkak të atyre që vëzhgojnë pa bërë asgjë”– ka thënë Albert Ajnshtajn (Albert Einstein).
Ne duhet të shtojmë përpjekjet tona të përbashkëta dhe të adresojmë faktorët strukturorë në themel të trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe të promovojmë zgjidhje të qëndrueshme për viktimat ndaj trafikimit dhe shfrytëzimit.
Problemet në këtë fushë janë pak a shumë identike në të gjithë botën, por ndryshon qasja ligjore, infrastrukturore, vizioni, mjetet dhe mundësitë në përballimin e tyre.
Masat kundër trafikimit, identifikimi dhe parandalimi, duhet të integrohen në sistemin e përgjithshëm të mbrojtjes së fëmijëve, përveç shërbimeve sociale, shëndetësore dhe arsimore, duke mbrojtur kështu shoqërinë në tërësi për një vend më të sigurt dhe më të mirë për jetesën.
Optimizmi është baza e guximit dhe alternativa e vetme që mbetet në përballimin e këtij fenomeni të ashpër.
Shkruan: Msc. Senad F. BAJRAMI
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online