Real Madrid tashmë ka nisur punën për rinovimin kontratës së Vinicius Junior. Kontrata aktuale e lojtarit brazilian përfundon në vitin 2024 dhe klubi i “Los Blancos” dëshiron të sigurojë vazhdimësinë e 22-vjeçarit. Sipas gazetarit të njohur sportiv, Fabrizio Romano, bisedimet mes dy palëve do të fillojnë së shpejti dhe në Real Madrid të gjithë janë dakord t’i ofrojnë Vinicius një kontratë afatgjatë.
Rinovimi i brazilianit ishte menduar prej kohësh te Real Madrid dhe të dy palët ranë dakord që pas përfundimit të sezonit të fillonin të bisedonin për këtë çështje.
Vinicius dëshiron të qëndrojë te madrilenët, që do të rrisin si pagën ashtu edhe klauzolën e largimit të lojtarit. Aktualisht, braziliani fiton rreth 3.2 milionë euro neto, të cilat me një bonus do të arrinin në katër. Klauzola e tij e largimit prej 700 milionë eurosh, do të shkonte në 1 miliardë me rinovimin.
Gjatë këtij sezoni të La Ligës braziliani ka luajtur në 23 ndeshje, nga të cilat ka arritur të realizojë 13 gola dhe të japë 5 asiste, duke treguar kështu një formë të mirë dhe duke u bërë një nga emrat kryesorë të skuadrës së Realit./SS