Propozimi i BE-së (i pranuar) – “Marrëveshja Bazë” – e modeluar kryekëput sipas marrëveshjes së dy Gjermanive (1972), dhe e përshtatur në kontekstin aktual, ka për qëllim ndryshimin thelbësor në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Është e ndërtuar në bazë të parimeve universale të së drejtës ndërkombëtare dhe të barazisë ndërmjet shteteve.
Është kontratë ndërmjet dy vendeve të barabarta, që e pranojnë integritetin territorial, juridiksionin kushtetues dhe subjektivitetin ndërkombëtar të njëra tjetrës.
Është marrëveshje që mundëson paqe dhe hap perspektivën për marrëdhënie të mira fqinjësore një ditë.
Kosovës i jepet mundësia për tejkalimin e vështirësive për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe status kandidati në BE, dhe anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, realisht kryesisht atyre në Evropë. Serbisë, përshpejtim të afrimit strategjik me Perëndimin, duke përfshirë edhe shtim domethënës të investimeve.
Serbisë i njihet e drejta e mosnjohjes “de jure” të pavarësisë të Kosovës, por jo edhe mohimi i saj. Dmth ka pranim të ekzistencës të Republikës së Kosovës.
Po, ka Asociacion të komunave me shumicë serbe, si dhe vetëqeverisje e avancuar shtesë në nivel komunal. Ka ndihmë të institucionalizuar dhe përkujdesje të Serbisë për popullatën serbe në Kosovë. Ka status të formalizuar juridik të Kishës Ortodokse Serbe – a do të jetë ekstraterritorialitet, kjo mbetet të negociohet.
Ka edhe paqartësi – si psh. disa nga marrëveshjet e Brukselit – ajo për përfaqësim rajonal – a do të vazhdojë të mbetet në fuqi apo do të bëhet një aranzhim i ri. Por kjo, dhe shumë detaje tjera mbeten në duar, aftësi dhe shkathtësi të negociatorëve të Kosovës në negociatat e një dyzinë marrëveshjesh plotësuese që duhen të arrihen për jetësimin e “Marrëveshjes Bazë”.
Marrëveshja e qetëson edhe rajonin.
Tash do të përshpejtohen hapat për heqje te barrierave në Ballkanin Perëndimor (integrim rajonal në bazë të katër lirive evropiane, sipas rregullave të BE- së) dhe integrimin gradual sektorial në Tregun e Përbashkët Evropian.
A zgjidhen të gjitha problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Jo. Por, mbyllen disa, dhe krijohet mundësia për adresimin e çështjeve tjera. Kyçe këtu është që nënshkruesit e marrëveshjes, dhe garantuesit e saj, të kuptojnë dhe interpretojnë njëjtë atë që është dakorduar.
Ka edhe rreziqe – më i madhi nëse nuk ka unfikim të pozitës të 27 shteteve të BE-së ndaj Kosovës.
Sikurse në jetë, asgjë nuk është ideale. Por, kjo marrëveshje e paqes është e mirë. E nga paqja fitojmë të gjithë, e në paqe nuk ishte dashtë të ketë humbës.