Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se janë duke u zhvilluar hetime lidhur me rastin “Prekazi”, për krimet e forcave serbe mbi familjen Jashari më 5, 6, dhe 7 mars 1998.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Speciale ka njoftuar se rasti është në fazën e vlerësimit të informatave dhe provave të siguruara deri më tani.
Sipas Prokurorisë, deri me tani janë identifikuar dhjetëra persona të dyshuar, ndërsa ka njoftuar se numri në çdo kohe mund të ndryshojë.
“Për shkak të fazës në të cilën gjendet rasti nuk mund të paraqesim numrin e saktë ngase në çdo kohe mund të ndryshojë, por ju bëjmë me dije se deri me tani janë identifikuar me dhjetëra persona të dyshuar si nga përgjegjësia komanduese e po ashtu edhe pjesëtarë të uniformuar të formacioneve të ndryshme ushtarake dhe policore” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për KALLXO.com.
Tutje Prokuroria ka njoftuar se lidhur me rastin janë identifikuar dhe intervistuar dëshmitarë, janë siguruar prova materiale si dhe janë identifikuar persona të dyshuar.
“Lidhur me rastin konkret, janë ndërmarrë veprime të shumta hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës, me të cilin rast janë identifikuar dhe intervistuat dëshmitarë, janë siguruar prova materiale si dhe janë identifikuar persona të dyshuar të cilët kanë urdhëruar që të ndërmerren veprime të kundërligjshme që konsiderohen krime lufte por edhe të dyshuar të tjerë që në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kryer veprime që konsiderohen krime lufte”- thuhet në përgjigje.
Prokuroria Speciale për KALLXO.com ka dhënë detaje edhe për dëshmitarët e intervistuar.