Prelec: Ka shumë mundësi që grupi i Radoiçiqit u stërvit nga ushtria serbe

0
127

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka vendosur konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në listën e krizave për t’u vëzhguar në Evropë në vitin 2024, krahas luftës në Ukrainë.

Eksperti për Ballkanin i kësaj organizate Marko Prelec i tha Zërit të Amerikës se pritjet për një normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë këtë vit janë zbehur plotësisht dhe se veprimet e fundit tregojnë se asnjëra palë nuk është e interesuar për t’i dhënë një fund konfliktit.

“Është një shqetësim i vazhdueshëm për Grupin e Krizave. Nuk po paralajmërojmë një konflikt të shkallës së gjerë, por jemi të shqetësuar se ky konflikt do të kalojë në gjendje të ngrirë sërish. Në Kosovë shohim një qeveri që po shtrin sovranitetin e saj në veri, që kundërshtohet nga një pjesë e popullatës vendase, e cila vazhdon të mbështet tek institucionet e Serbisë, të cilat funksionojnë aty në mënyrë të jashtëligjshme. Ky proces ishte i pashmangshëm, diçka që duhej të ndodhte. Por mënyra se si është bërë ishte alarmuese dhe shqetësuese për popullatën vendase. Ka patur rezistencë nga – varet si doni t’u referoheni – kriminelë, grupe paramilitare, apo siç i konsideron qeveria e Kosovës si terroristë. Rezistenca e tyre mund të vazhdojë. Por, nuk mendoj se do të ketë përshkallëzim më të madh sa ai që kemi parë deri tani, që ka qenë relativisht i vogël”, tha Prelec.

Ai ka thënë se procesi i dialogut në Bruksel nuk ka prodhuar shumë rezultate, por vuri në pah se nëse shikohet tërë periudha historike, që kur Bashkimi Evropian filloi të ndërmjetësojë rreth vitit 2011, janë shënuar arritje të rëndësishme.

“E tërë historia e integrimit të serbëve në Kosovë është bërë për shkak të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por, vitet e fundit ka shumë pak rezultate, për të mos thënë aspak. Ajo që kemi parë janë veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës që ka ndryshuar gjendjen në terren. Prandaj është shumë e vështirë të thuhet, që ka ardhur koha për t’iu kthyer dialogut. Do të dëshiroja të shihja që qeveria e Kosovës të fillojë të veprojë duke u kujdesur për interesat e pakicës serbe në Kosovë, këta janë qytetarë të saj dhe janë një grup i lënë jashtë vëmendjes. Ata përballen me diskriminim zyrtar dhe jozyrtar. Janë të frikësuar, kanë probleme dhe u duhet dhënë ndihmë”, tha tutje Prelec.

Sa i përket sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Prelex ka thënë se është e qartë që ato armë erdhën nga Serbia dhe janë dërguar kohët e fundit, derisa thotë se grupi i Radoiçiqit është stërvitur nga ushtria serbe.

“Pra, janë prodhim i kohëve të fundit. Këto armë nuk mund t’i gjesh, të themi, në treg të hapur. Ka shumë mundësi që grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi të jetë stërvitur deri diku nga ushtria e Serbisë. Kjo është çfarë dimë. Ajo çfarë nuk e dimë saktë është se cili ishte qëllimi i tyre. Unë do thosha se kishin si synim nxitjen e një konflikti të armatosur me njësitë speciale të policisë së Kosovës me shpresë që KFOR-i do të tërhiqej në konflikt duke u futur mes të dyja palëve dhe të merrte kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës dhe t’i urdhëronte autoritetet e Kosovës që të largoheshin tërësisht nga ajo pjesë. Për mua vetëm kjo ka kuptim. Grupi nuk duket të ketë qenë aq i madh numerikisht sa për ta marrë vetë kontrollin e plotë mbi tërë veriun e Kosovës”, shtoi Prelec.

Por nga ana tjetër, tha Prelec, armatimi i tyre ishte i tillë që përdoret vetëm kundër një kundërshtari të armatosur mirë me armë të blinduara si njësitë speciale të Kosovës. “Rrjedhimisht, mund të mendohet se kishin në plan t’i përdornin këto armë dhe me qëllim për të vrarë”, tha ai.

Leave a Reply