Deri vonë, pamjet para dyerve të ambasadave të vendeve perëndimore në Kosovë ishin të mbushura me qytetarë. Ata që donin të udhëtonin jashtë vendit detyroheshin të prisnin në radhë të gjata dhe të kalonin në një proces të gjatë e të mundimshëm për të siguruar një vizë për në vendet e zonës Shengen.
Tani situata është ndryshe. Nga një janari i vitit të ardhshëm Kosova bëhet pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Më 19 prill në Parlamentin Evropian u nënshkrua akti ligjor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që shënoi edhe hapin e fundit të procesit të liberalizimit të vizave.
Qytetarët më të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thonë se liberalizimi do të jetë i dobishëm për vendin
“Do të sjellë liberalizim dhe lehtësira për çdo fushë apo sektorë të jetës ekonomike dhe sociale në vendin tonë duke filluar nga fusha e sportit, kulturës, arsimit dhe edukimit ngase shkëmbimet e ndryshme universitare, sportive, kulturore do të rriten dukshëm dhe do të lehtësohen dhe kjo vuajtje 24 vjeçare e kosovarëve duke pritur në ambasadat e huaja ka përfunduar dhe mendoj se është një epokë e re e cila e faktorizon shtetësinë e Kosovës”, tha Asdren Bytyqi me profesion avokat.
“Kjo ka me qenë shumë më e mirë edhe për karrierë e neve të rinjve edhe për edukimin, punën apo profesionalizmin për të arritur me krahasu karrierat në Evropë, me pa atje se si funksionojnë punët edhe pse teorikisht i kemi ditë, por tash kjo është një mundësi për të parë edhe praktikisht”, Tanzu Sylejmani me profesion regjisor.
Sipas një anketimi të kryer nga gazeta online “Shegenvisa” me qytetarët e Kosovës thuhet se mbi 80 për qind e të anketuarve kanë plane udhëtimi për vitin 2024, pas liberalizimit të vizave, ndërsa destinacionet kryesore ishin Gjermania dhe Zvicra. Pjesa e mbetur prej 20 për qind e të anketuarve që janë të pavendosur ose nuk do të udhëtojnë në vitin 2024 përmendin arsye financiare për vendimin e tyre.
Autoritetet në Kosovë kanë organizuar një fushatë disa javëshe për informimin e saktë të qytetarëve mbi lehtësitë dhe kufizimet që sjell liberalizimi i vizave.
Regjimi nënkupton mundësi udhëtimi pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen, por nuk është leje pune.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të respektojnë të gjitha rregullat që janë pjesë e këtij sistemi të liberalizimit të vizave”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Por, krahas dobive nga udhëtimi pa viza, bizneset në Kosovë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e largimit të fuqisë punëtorë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha për Zërin e Amerikës se tashmë ka dy vite që kanë filluar shqetësimet me largimin e punëtorëve në vendet evropiane.
“Edhe tani me liberalizim të vizave edhe pse ky nuk është liberalizim për vende pune ose për të shkuar për të punuar, është një liberalizim për qëllime turistike që është një e drejtë që na është mohuar që sa mirëpo ne si Odë Ekonomike nuk presim njëë ëlargim të themi masiv, që do zbraset Kosova për shkak se kemi numër mjaft të madh ku 2 -3 vitet e fundit që janë largu. Fatkeqësisht jemi duke vuajtur nga mungesa e statistikave sa po largohen dhe sa po kthehen”, tha Rafuna.
Rafuna thotë se ndërtimtaria dhe gastronomia janë dy sektorët që janë prekur më së shumti nga largimi i punëtorë ndërsa kërkonn nga qeveria e Kosovës hartimin e një plani që do të parandalonte shkuarjen e të rinjve.
“Për mendimin tem ky është problem që hyn në kategorinë ndoshta të Sigurisë Kombëtare, për arsye se rinia ka qenë një aset me të cilin të gjithë ne që kemi qenë udhëheqës të institucioneve jemi mburrë dhe e kemi përdorë si një vlerë që e ka Kosova për t’i motivuar investitorët për të ardhë me investu në Kosovë. Tani po e humbim këtë aset, kështu që ne duhet ta kemi parasysh, që të shohim situatën më afatgjatë, jo vetëm ta shohim gjashtë muajt e ardhshëm ose një vit ose dy vitet e ardhshme”, tha Rafuna.
Në një raport të publikuar nga “Instituti Riinvest” në Prishtinë lidhur me dinamikën e tregut të punës thuhet se migrimi i punonjësve mbetet problemi kryesor me të cilin përballen bizneset në vend. Raporti i publikuar një muaj më parë thekson se 17.59 për qind e bizneseve thanë se punonjësit e tyre i informuan se do të emigronin vitin e ardhshëm dhe në përgjithësi, bizneset presin që rreth 33 për qind e punonjësve mund të migrojnë pas një janarit.