Podujeva e Skenderaj ia kërkojnë Qeverisë rreth 2 milionë, Deçani e Peja ende s’kanë vlerësim për dëmet e vërshimeve

0
292

Dy javë më parë shumë komuna në Kosovë pësuan vërshime për shkak të reshjeve të shumta të shiut. Dëmet nga këto vërshime ishin të mëdha, për çka secila komunë do të shkruajë një raport kompensimi dhe të njëjtin do ta dërgoj në Qeveri. Se a i kanë dërguar raportet në qeveri dhe sa është vlera e dëmit të shkaktuar, për Express kanë folur nga komuna e Pejës, Podujevës, Deçanit dhe Skenderajt.

Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, e ka dërguar në Qeveri raportin me dëmet e shkaktuara nga reshjet.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj komune, Fatri Zhitia. Ai bëri të ditur se vlera e dëmeve që janë kërkuar të kompensohen është rreth 1.5 milion euro.

“Javën e kaluar është dorëzuar raporti i dëmeve nga Drejtoria e Bujqësisë për komunën e Podujevës. Vlera e dëmeve është rreth 1.5 milion euro”, tha Zhitia.

Dëme më të vogla ka pasur komuna e Skenderajt. Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura, në një prononcim për Gazetën Express tha se vlera e dëmeve është rreth 400 mijë euro.

Ai tha se raporti është ende duke u përpunuar.

“Raporti me dëmet e shkaktuara nga reshjet është duke u përpunuar. Vlera e dëmeve është rreth 400 mijë euro”, tha ai.

Ndërsa, të hënën komuna e Deçanit pritet ta dërgojë në Qeveri këtë raport. Kështu tha për Express kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

“Shpresoj që komisioni për vlerësim ta ketë draftin përfundimtar dhe të hënën ta adresojmë në Qeveri”, tha Ramosaj.

Mirëpo, komuna e Pejës ende nuk e ka përfunduar vlerësimin e dëmeve. I pari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri tha se komisioni komunal dhe i ministrisë ende janë duke i vlerësuar dëmet.

“Komisioni komunal dhe i ministrisë janë në vlerësimin e dëmeve dhe ende nuk e kanë përfunduar vlerësimin”, tha Muhaxheri për Express.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here