Real Madridi po shqyrton seriozisht mundësinë e ndryshimeve në stafin teknik për sezonin e ardhshëm dhe një nga emrat që po përmendet gjithnjë e më shumë është Mauricio Pochettino.
Sipas raportimeve të ESPN, drejtuesit madrilenë e shohin trajnerin argjentinas si një kandidat serioz për të udhëhequr projektin e ri sportiv të klubit. Aktualisht, pankinën e “Los Blancos” e drejton Álvaro Arbeloa, i cili mori detyrën në janar pas largimit të Xabi Alonsos, por ai nuk konsiderohet si zgjidhje afatgjatë.
Burimet pranë klubit bëjnë të ditur se vetëm një sukses i madh, si fitimi i Ligës së Kampionëve, mund ta forcojë pozitën e Arbeloas në stol.
Ndërkohë, presidenti i klubit Florentino Pérez e vlerëson lart Pochettinon, i cili ka përvojë të madhe në elitën e futbollit pasi ka drejtuar Tottenhamin, Paris Saint-Germain dhe Chelsean. Ai aktualisht është trajner i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara.
Përveç tij, për stolin e Real Madridit janë përmendur edhe emra të njohur si Jürgen Klopp, Unai Emery, Massimiliano Allegri dhe rikthimi i mundshëm i Zinedine Zidane./04 Online













































