Pini kafe në darkë dhe flini mirë? Ja pse ndodh kjo

0
184

Nëse dikur, kur ishit i ri, një filxhan kafeje pas darkës në një piceri mjaftonte për t’ju mbajtur zgjuar gjithë natën, me kalimin e viteve mund ta pini edhe para gjumit… dhe sërish të flini pa problem. Një studim i botuar në Nature Communications Biology nga Universiteti i Montrealit, nën drejtimin e Philipp Thölke, jep një shpjegim interesant. Studiuesit analizuan aktivitetin e trurit gjatë gjumit duke përdorur elektroencefalogram të menaxhuar nga inteligjenca artificiale.

Roli i adenosinës dhe mosha

Kafeina vepron mbi receptorët e adenosinës në tru, një neurotransmetues që ndihmon në nxitjen e gjumit jo-REM, sidomos në valët e ngadalta, që përfaqësojnë fazën fillestare të gjumit. Gjumi jo-REM është thelbësor për ruajtjen e memories dhe mirëqenien mendore dhe kalon në katër faza: nga gjumi i lehtë, te ai i thellë dhe restaurues.

Por studiuesit kanadezë treguan se me kalimin e moshës, numri i receptorëve të adenosinës ulet. Kështu, tek personat nga 41 deri në 58 vjeç, kafeina nuk ka më të njëjtin ndikim si tek ata 20–27 vjeç. Ajo nuk e pengon më në mënyrë efektive procesin e gjumit.

Ndryshimi në “arkitekturën” e gjumit

Studimi zbuloi edhe më shumë: ndikimi i kafeinës nuk lidhet vetëm me receptorët, por edhe me mënyrën si strukturohet vetë gjumi, i ashtuquajturi “arkitekturë e gjumit”. Çdo natë kalojmë nga 4 deri në 6 cikle gjumi prej rreth 90 minutash secili, që fillojnë me fazat jo-REM dhe përfundojnë me fazën REM, ajo e ëndrrave, me lëvizje të shpejta të syve.

Me kalimin e viteve, kjo arkitekturë bëhet më e çrregullt, një fenomen i quajtur entropi morfike, që përfaqëson rritjen e kompleksitetit dhe humbjen e rendit të gjumit.

Kafeina në një tru “të trazuar”

Në gjendje zgjimi, kafeina e rrit kompleksitetin e rrjeteve nervore, duke na bërë më vigjilentë. Por gjatë gjumit, ajo nxit një kompleksitet që ngjan me atë që ndodh natyrshëm me plakjen. Kështu, për një të rritur të mesëm, një kafe përpara gjumit është “një pikë në një det tashmë të trazuar”.

Nëse kafja nuk ju pengon më të flini, do të thotë që arkitektura e gjumit tuaj është tashmë e ndryshuar nga mosha. Ndërkaq, nëse ndodh e kundërta, pra, nuk flini dot pas një kafeje në darkë, ka gjasa që truri juaj ende ruan “rininë”.

Eksperimentet

Studiuesit përdorën tableta me kafeinë (dhe placebo) të marra 1 dhe 3 orë para gjumit. Tek pjesëmarrësit 41–58 vjeç nuk u vërejt asnjë ndryshim në cilësinë e gjumit krahasuar me placebo-n. Ndryshe nga të rinjtë, të rriturit flinin po njësoj edhe pas konsumimit të kafeinës.

Siç përmend edhe profesori Giuseppe Plazzi nga Universiteti i Modenës, “është një zbulim disi ironik: kur je i ri, kafeja të mban zgjuar; kur je më i moshuar, më në fund mund ta shijosh pa pasoja, por pikërisht sepse gjumi yt nuk është më si dikur”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here