Për gripet e ftohjet gjatë verës, ekspertët fajësojnë edhe kondicionerin e ajrit

0
107

Ndërkohë që dihet se njerëzit priren të sëmuren me gripe e të ftohen gjatë sezonit të dimrit, ka shumë të sëmurë me gripe edhe në mot të ngrohtë.

Ekspertët kanë treguar se edhe temperaturat e larta mund të krijojnë më shumë mundësi për ftohje, gripe si dhe shpërndarje të Covid-19, shkruan The Mirror.

Këtë verë në Britani janë raportuar shumë më shumë raste me Covid-19 se sa gjatë muajve të mëparshëm. Sipas Health Securituy Agency, rastet pozitive të Covid-it janë rritur për 4 për qind në fund të muajit mars, ndërsa në fund të qershorit janë rritur për 14 për qind. Të dhënat e fundit sugjerojnë se rastet janë rritur në 17 për qind deri më 10 korrik.

Doktori Allen Haddrell nga Universiteti i Bristolit, ka thënë se rastet me Covid rriten për shkak të lëvizjes së njerëzve si dhe ndryshimit të ambientit brenda shtëpive.

Ai ka shtuar se lëvizjet e popullsisë ndryshojnë gjatë muajve të nxehtë pasi është edhe sezon i festivaleve e turizmit ku ka më shumë grumbullime të njerëzve.

“Ka pasur diskutime rreth kampionatit evropian, ku njerëzit takohen nëpër lokale e bareve të ndryshme duke qëndruar gjatë aty e duke bërtitur. Këto janë vende potenciale ku mund të ketë shkallë më të lartë të transmetimit të viruseve. Çdo herë që ka lëvizje të popullsisë, mund të ndikojë në rritjen e viruseve”, ka thënë ai.

Edhe njerëzit që qëndrojnë në vende të punës ku kondicioneri është i lëshuar për kohë të gjatë, mund të jenë në rrezik, pasi ajri që lëshohet nga këto pajisje nuk është i pastër, është po i njëjti që vetëm qarkullon.

“Nëpër zyra njerëzit përdorin kondicionerin sepse hapja e dritareve nuk e freskon ajrin për shkak të temperaturës së lartë. Por kondicioneri vetëm e ftoh ajrin, prandaj kjo mund të çojë në rritje të transmetimit të viruseve”, ka shpjeguar Haddrell.

Ai ka këshilluar që duhet të përdoren masat mbrojtëse, si maskat, distanca, shmangia nga grumbullimet e njerëzve, hapja e dritareve e ajrosja.

Është sugjeruar se ata persona që nuk u infektuan me Covid gjatë dimrit, mund të kenë gjasa të infektohen gjatë verës, sepse imunitetin e kanë të dobët.

Britanikët janë paralajmëruar se Covidi nuk është zhdukur, përkundrazi, po qarkullojnë variante të ndryshme të tij si FLiRT, JN.1, i cili ka një subvariant të njohur si BA.2.86, të cilët kanë ngritur valët e infeksionit nëpër botë që nga viti i kaluar, kur u shfaqën për herë të parë.

Doktori Paul Hunter, ka thënë se infeksionet po ndodhin gjatë verës për shkak të rënies së imunitetit te njerëzit.

“Nëse dikush nuk e ka pasur Covidin gjatë dimrit, do të thotë se ka nivel të ulët të imunitet në trup, kjo gjë shpjegon valët e ngritura të variantit FLiRT. Problemi qëndron te imuniteti i ultë. Gjatë verës ndodhin shumë takime e ndryshime në lëvizjet e popullsisë gjë që tregon shkaktarin e rritjes së rasteve në qershor”, ka thënë ai.

Doktori ka shtuar se ndikim ka pasur edhe shkalla e ulët e vaksinimit, gjë që do të thotë se ka shumë njerëz me imunitet shumë të dobët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here