Qytetarët e Halepit gjithashtu kanë përjetuar goditjen fizike – dhe psikologjike – të tërmetit. I bëri ata të pyesin veten, a e meritojnë vërtet këtë fat apo jo? “Trauma është e madhe dhe do të duhet pak kohë derisa ta gëlltisin këtë pilulë vërtet të hidhur pas (më shumë se) 10 vjetësh luftë”, ka theksuar Armenak Tokmajyan, anëtar jorezident në Carnegie Middle East, i cili është me origjinë nga ky qytet
Për vite me radhë qytetarët e Halepit mbajtën barrën e bombardimeve dhe luftimeve kur qyteti i tyre, dikur më i madhi dhe më kozmopoliti i Sirisë, ishte ndër zonat më të ashpra të betejës së luftës civile. Edhe kjo nuk i përgatiti ata për shkatërrimin dhe terrorin e ri të shkaktuar nga tërmeti i kësaj jave.
Fatkeqësia natyrore ishte kulmi i shumë të ligave të tjera të shkaktuara nga njeriu, duke shumëfishuar vuajtjet në Halep dhe në Siri më gjerësisht.
Luftimet u ndërprenë në Halep kryesisht në vitin 2016, por vetëm një numër i vogël i ndërtesave të shumta të dëmtuara dhe të shkatërruara u rindërtuan. Popullsia gjithashtu kohët e fundit ka luftuar rënien ekonomike të Sirisë, e cila ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten dhe banorët të zhyten në varfëri.
Tronditja e madhe
Tronditja e tërmetit është e tepërt.
Hovig Shehrian tha se gjatë luftës më të tmerrshme në Halep, në vitin 2014, ai dhe prindërit e tij u larguan nga shtëpia e tyre në një zonë të vijës së parë për shkak të granatimeve dhe të shtënave me snajperë. Për vite me radhë ata lëviznin lagje në lagje për të shmangur luftimet.
“Ishte pjesë e rutinës sonë të përditshme. Sa herë që dëgjonim një zhurmë, largoheshim, dinim kë të telefononim dhe çfarë të bënim”, tha 24-vjeçari.
“Por … ne nuk dinim çfarë të bënim me tërmetin. Isha i shqetësuar se do të vdisnim”.
Tërmeti i së hënës me magnitudë 7.8 ballë, me qendër rreth 112 kilometra larg në Turqi, i zgjoi qytetarët e Halepit dhe i bëri të ikin në rrugë nën një shi të ftohtë dimri. Dhjetëra ndërtesa në të gjithë qytetin u shembën. Më shumë se 360 njerëz u vranë në qytet dhe qindra të tjerë u plagosën. Punëtorët ishin ende duke gërmuar tri ditë më vonë nëpër rrënoja, duke kërkuar të vdekurit dhe të mbijetuarit. Në të gjithë Turqinë jugore dhe Sirinë veriore më shumë se 19 mijë u vranë.
Terrori i ri
Edhe ata, ndërtesat e të cilëve qëndrojnë ende, kanë frikë të kthehen. Shumë prej tyre janë strehuar në shkolla. Një manastir i krishterë maronit strehoi më shumë se 800 njerëz, veçanërisht gra, fëmijë dhe të moshuar, të grumbulluar në çdo dhomë.
“Deri më tani nuk kemi fjetur në shtëpitë tona. Disa njerëz po flenë në makinat e tyre”, tha Imad al-Khal, sekretar i përgjithshëm i besimit të krishterë në Halep, i cili po ndihmonte në organizimin e strehimoreve.
Për shumë njerëz tërmeti ishte një lloj i ri terrori – një tronditje edhe pas asaj që ata duruan gjatë luftës.
Për Halepin, lufta ishte një rrethim i gjatë dhe brutal. Rebelët pushtuan pjesën lindore të qytetit në vitin 2012, menjëherë pasi filloi lufta civile në Siri. Për vitet e ardhshme, forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia luftuan për t’i çrrënjosur ato.
Sulmet ajrore dhe granatimet siriane dhe ato ruse rrafshuan blloqe të tëra. Trupat u gjetën në lumin që ndan dy pjesët e qytetit. Në anën perëndimore të kontrolluar nga qeveria, banorët u përballën me sulme të rregullta me mortaja dhe raketa nga luftëtarët e opozitës.
Një ofensivë përfundimtare çoi në disa muaj luftimesh urbane, duke përfunduar më në fund në dhjetor të vitit 2016 me fitoren e qeverisë. Luftëtarët dhe mbështetësit e opozitës u evakuuan dhe kontrolli i qeverisë u vendos mbi të gjithë qytetin. Grupet aktiviste vlerësojnë se rreth 31 mijë njerëz u vranë në katër vjetët e luftimeve dhe pothuajse e gjithë popullsia e sektorit lindor u zhvendos.
Kurban i diktatorit
Halepi u bë simbol i mënyrës sesi presidenti Bashar Assad ia doli të rrëmbejë pjesën më të madhe të territorit të mbajtur nga opozita rreth zemrës së Sirisë me mbështetjen e Rusisë dhe të Iranit me çmimin e shkatërrimit të tmerrshëm. Opozita mban një enklavë të fundit, të vogël në veriperëndim, me qendër në provincën Idlib dhe pjesë të provincës Halep, e cila u shkatërrua gjithashtu nga tërmeti i së hënës.
Por Halepi nuk u rikuperua kurrë. Çdo rindërtim është bërë nga individë. Popullsia aktuale e qytetit mbetet shumë më e ulët se para vitit 2011, kur ishte 4.5 milionëbanorëshe. Pjesa më e madhe e sektorit lindor mbetet në gërmadha dhe boshe.
Ndërtesat e dëmtuara gjatë luftës ose të ndërtuara keq gjatë luftimeve rregullisht shemben. Një shembje, më 22 janar, la të vdekur 16 persona. Një tjetër në shtator la të vdekur 11 persona, duke përfshirë tre fëmijë.
Halepi dikur ishte fuqia industriale e Sirisë, tha Armenak Tokmajyan, anëtar jorezident në Carnegie Middle East, i cili është me origjinë nga ky qytet. Tani është margjinalizuar ekonomikisht, infrastruktura bazë në gaz dhe energji elektrike mungon dhe popullsia – e cila kishte shpresuar për përmirësime pas përfundimit të luftimeve – vetëm sa i pa gjërat të përkeqësoheshin.
Ata gjithashtu tani kanë përjetuar goditjen fizike – dhe psikologjike – të tërmetit, tha Tokmajyan. “I bëri të pyesin veten, a e meritojnë vërtet këtë fat apo jo? Mendoj se trauma është e madhe dhe do të duhet pak kohë derisa ta gëlltisin këtë pilulë vërtet të hidhur pas (më shumë se) 10 vjetësh luftë”.
“Tërmeti ishte ndryshe”
Rodin Allouch, një vendës në Halep, mbuloi luftën për një stacion televiziv sirian.
“Kam qenë në vijën e parë të frontit duke bërë video. Unë kurrë nuk kam qenë i frikësuar. Raketat, predhat po binin, por morali im ishte i lartë”, kujton ai.
Tërmeti ishte ndryshe. “Nuk e di se çfarë na bëri saktësisht tërmeti. Ne ndiem se do t’i bashkoheshim Perëndisë. Ishte hera e parë në jetën time që u frikësova”.
Gjatë luftës atij iu desh të linte lagjen e tij në sektorin lindor dhe të merrte me qira një apartament në anën perëndimore. Por tërmeti e ka zhvendosur sërish. Ndërsa ndërtesa e tyre u lëkund, ai, gruaja dhe katër fëmijët ikën në një kopsht aty pranë. Allouch tha se nuk do të kthehet derisa ndërtesa të inspektohet dhe riparohet. Ende qëndron, por ka shumë të çara. Në vend të kësaj, familja do të qëndrojë në një dyqan në katin e parë aty pranë që ai ka marrë me qira.
“Është më e sigurt të jesh poshtë (në katin e parë) nëse ka tërmet”, tha ai, por u ankua se nuk ka derivat për ngrohje. “Jeta është kaq e mjerueshme”.
Shumë të tjerë në Halep janë zhvendosur më shumë se një herë.
Farouk al-Abdullah u largua nga ferma e tij në jug të qytetit Aleppo gjatë luftës. Që atëherë, ai ka jetuar me dy gratë e tij, 11 fëmijët dhe nënën 70-vjeçare në Jenderis, një qytet i kontrolluar nga opozita në provincën Aleppo.
Ndërtesa e tyre atje u shemb plotësisht nga tërmeti, megjithëse e gjithë familja mundi të shpëtonte.
Ai tha se tërmeti, me shkatërrimin dhe pasojat e tij kudo – duke parë ekipet e shpëtimit duke nxjerrë trupat nga rrënojat – “është shumë më e tmerrshme sesa gjatë luftës”.
Dhe ndërsa lufta mund të jetë e pakuptimtë, ata në të shpesh kanë një kauzë për të cilën po sakrifikojnë dhe i heqin njëfarë kuptimi vdekjes dhe shkatërrimit.
Shkatërrimi i luftës në Halep të paktën “është disi një provë se ne nuk u mundëm lehtë”, tha Vissam Zarqa, mbështetës i opozitës nga qyteti që ishte atje gjatë gjithë rrethimit dhe tani jeton në kryeqytetin turk Ankara.
“Por shkatërrimi nga fatkeqësitë natyrore është e gjitha dhimbje dhe asgjë tjetër veçse dhimbje”.
Përktheu: Forca Jashari