Të gjithë punëtorët e repartit të Fizioterapisë, Anestezisë dhe Radiologjisë pranë Spitalit të Prizrenit sot ishin në vendin e tyre të punës, por 25 prej tyre nuk kanë ofruar asnjë shërbim.
Kjo ishte për shkakun se 25 punëtorët nga këto tre reparte (fizioterapeut, anesteziolog dhe radiolog) nga sot kanë hyrë në grevë, pasi në dy muajt paraprakë i kanë marrë pagesat më të ulëta, teksa pagesa për këtë muaj nuk i kanë marrë ende.
Burime të 04 Online brenda Spitalit të Prizrenit, kanë konfirmuar se 25 punëtorët janë të vendosur që të vazhdojnë grevën deri në përmbushjen e kërkesave, për të cilat është e mirë njoftuar edhe udhëheqësia e spitalit.
“E kemi një pakënaqësi në punë, këtu në spital, ka dy muaj që na lëshojnë rrogat më pak se që duhet, e kemi hyrë në grevë. Jemi 25 punëtorë në spital që po na ndodhë ky problem, ne pakënaqësinë tonë e kemi drejtu tek udhëheqësit e reparteve e deri në drejtori”, thotë për 04 Online burimi ynë brenda spitalit.
Hyrja në grevë e 25 punëtorëve në tri repartet ka shkaktuar pakënaqësi edhe tek pacientët, pasi shërbimet nuk janë marrë fare.
“Edhe pacientët u ankuan sot për mosmarrje të shërbimeve, se e mbyllën krejt repartin, dhe derisa nuk lëshohet pjesa e pagesës nuk do të ndalet greva”, thotë për 04 Online njëri nga grevistët.
Mbetet të shihet se si do të veproj SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë në raport me kërkesat e grevistëve, pasi tre repartet e lartëcekura varen direkt nga punëtorët grevist./04 Online