Jo shumë larg nga kryeqyteti, futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës zhvilluan stërvitjen e parë në prag të dy ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Pas gati tre muajsh “pushim”, Kosova e zhvilloi stërvitjen e parë për ndeshjet ndaj Zvicrës dhe Rumanisë. “Dardanët” ushtruan të martën në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Stërvitja e Kosovës, megjithatë, zgjoi pak interesim. Asnjë shikues nuk ishte në tribuna, ndërsa i zbehtë ishte edhe interesimi i mediave për t’i përcjellë yjet e Kosovës. Pak entuziazëm kishte edhe te vetë lojtarët. Mbase e kuptueshme, për faktin se Kosova gati ka humbur gjasat për kualifikim në “Euro 2024”.
Kosova dhe Andorra janë dy përfaqësueset e vetme të Grupit I që nuk kanë shënuar asnjë fitore në katër ndeshje të zhvilluara deri tash.
Mbetet të shihet nëse Kosova mund ta fitojë ndeshjen e parë të këtij muaji, atë kundër Zvicrës. Ndaj përfaqësueses helvetike Kosova luan të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tri ditë më pas Përfaqësuesen e pret një tjetër përballje e vështirë, ndaj Rumanisë në Bukuresht.
Në stërvitjen e parë nuk mungoi asnjë lojtar i thirrur për këto dy përballje nga përzgjedhësi Primozh Gliha.
Në stërvitjen e mbajtur në Hajvali, ndër të parët që doli në fushë ishte përzgjedhësi Gliha.
Pasi zhvilloi një bisedë të shkurtër me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, Gliha u kthye te lojtarët e Kosovës në fushë.
Shkurt zgjati biseda e trajnerit slloven me lojtarët e Kosovës, të cilët më pas zhvilluan stërvitjen e parë në prag të dy ndeshjeve kualifikuese.
Gliha u asistua nga përzgjedhësi i Përfaqësueses U17, Arbnor Morina. Mungoi Afrim Tovërlani që është i angazhuar me përgatitjet për ndeshjet e Përfaqësueses U21 kundër Polonisë dhe Gjermanisë.
Puna në stërvitjen e parë nisi me ngrohje të lojtarëve. U vërejt një ndryshim në krahasim me periudhën e Alain Giresset. Lojtarët u ndanë në dy grupe. Një pjesë kishin të veshura jelekët me ngjyrë, kurse pjesa tjetër uniformën e Kosovës.
Për dy ndeshjet kualifikuese të Grupit I, Kosova është grumbulluar të hënën. Deri para ndeshjes ndaj Zvicrës, Kosova do t’i ketë edhe dy stërvitje të tjera.
Për ndeshjen ndaj Zvicrës janë shitur të gjitha biletat brenda pak orësh. Por entuziazmi nuk ishte i njëjtë edhe në stërvitjen e parë të Kosovës. As nga shikuesit e as nga mediat, ndonëse interesimi është i madh për ta përcjellë nga afër ndeshjen Kosova – Zvicra. Zvicra në Kosovë do të udhëtojë të premten me katër futbollistë shqiptarë. Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka do ta udhëheqin Zvicrën në ndeshjen kundër Kosovës. Janë ftuar edhe Ardon Jashari dhe Uran Bislimi. Bislimi më herët ka luajtur për Kosovën./Koha