Pajisjet që e mbronin Kosovën nga breshri, u vodhën në luftë dhe u shitën për hekur

0
546

Mundi i fermerëve në Kosovë ka mbetur në mëshirën e fatit. Të mbjellat e tyre dhe puna disa-mujore iu shkon shkon huq sa herë që bie breshër. E një gjë e tillë nuk ndodh rrallë.

Miliona euro shkaktohen dëme në bujqësi – dhe jo vetëm – brenda një viti.

Shteti përveç subvencionimit me shuma simbolike për kompensim të dëmeve, nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje, për mbrojtje nga kjo fatkeqësi natyrore.

E Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), përveçse i paralajmëron qytetarët se çka do të ndodhë, ndihmë tjetër s’mund të iu ofrojë. Kjo pasi nuk ka sistem për mbrojtje nga dëmet e shkaktuara nga breshëri.

Një sistem të tillë Kosova e ka pasur deri në vitin 1999, kur kanë funksionuar 104 pika lansuese të raketave për mbrojtje kundër breshrit.

Por, në kohën e luftës këto pajisje janë vjedhur dhe shitur për hekur.

Kështu thotë në një intervistë për Telegrafin, Besim Aliu – Koordinator dhe Parashikues i Motit në IHMK.

Ai shpjegon se në atë kohë ka punuar si meteorolog dhe se nuk e di kush i ka vjedhur pajisjet, por i bindur thotë se “nuk janë shkatërruar nga ushtria serbe”.

“Para luftës IHMK-ja ka pasur pajisje që kanë qenë kundër breshrit, diku 104 stacione manuele që e kanë marrë sinjalin nga radari – ka qenë një në Rrafshin e Kosovës dhe në atë të Dukagjinit – dhe punëtorët në radar i kanë lajmëruar ata në terren. Më pas, këta të fundit i kanë hedhur raketat, të cilat kur kanë shkuar në hapësirë i kanë shpërndarë retë breshër-formuese dhe i kanë shndërruar në shi”, thotë Aliu.

“Bujku ka qenë i mbrojtur atëherë. Ndërsa, tash është në mëshirën e fatit, sepse nuk kemi pajisje. I kemi pasur dikur dhe kanë qenë funksionale deri në vitin 1999, por janë vjedhur nga dikush që i ka shitur për hekur. Nuk janë shkatërruar nga ushtria serbe. Atëherë kam punuar si meteorolog dhe nuk e di se kush i ka marrë”.

“Kemi nevojë për radar, i cili duhet të ketë edhe stacione kundër breshrit. Kushton 1 milion e 200 mijë euro dhe disa stacione që duhet të vendosen sidomos në vendet ku bujqësia është më e zhvilluar”, thotë meteorologu Aliu.

Përveç këtyre pajisjeve ai thotë se Instituti po përballet edhe me mungesë të resurseve njerëzore.

Sipas tij, Kosova ka vetëm 13 punëtorë në IHMK, apo dhjetëfish më pak sesa Mali i Zi, shtet ky i cili ka vetëm tre mijë kilometra katrorë më shumë territor.

“Jemi stafi më i vogël në rajon. 5 nga 13 jemi të fushës së meteorologjisë. Mali i Zi ka 113 punëtorë, Maqedonia 189, Kroacia 363 dhe Serbia ka 530 punëtorë”.

Aliu tutje shton se disa herë ka kërkuar kushte më të mira të punës dhe për këtë thotë se ka biseduar edhe me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu, por se i njëjti nuk ka bërë ende asgjë konkrete.

“Është alarm për institucionet tona kjo gjendje e IHMK-së. Kam biseduar edhe me ministrin Aliu, ka thënë se do të shikojmë mundësitë, por ende asgjë. Në ministri ka që janë jo profesionistë që nuk e kuptojnë fushën”.

Madje, ai deklaron se Instituti tash e 6-7 muaj është pa drejtor, pasi “askush nuk e dëshiron këtë pozitë”.

“Kemi mbetur edhe pa drejtorë sepse askush se dëshiron këtë pozitë, tash e 6-7 muaj s’ka drejtor. Është ushtruesi i detyrës, por edhe ai ka kërkuar disa herë të hapet konkurs për drejtor sepse është punë e vështirë”, pohon Aliu.

Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Mjedisit, për t’i pyetur nëse planifikojnë shtimin e stafit në IHMK, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here