Osmani optimiste për marrëveshjen: Sjell rezultate konkrete për Kosovën

0
200

Një ditë para takimit të rëndësishëm mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Ohër, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të Dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, raporton Gazeta Sinjali.

Osmani në konferencën për media pas takimit u shpreh optimiste lidhur me marrëveshjen, duke thënë se do të sjellë rezultate konkrete për Kosovën.

Çdo tendencë e Serbisë për të penguar këtë rezultat nëpërmjet kushtëzimeve, mund ta dëmtojë pastaj tërësisht procesin e dialogut. Pritshmëria ime si presidente e Republikës është se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete, të prekshme për Kosovën, rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës. Kjo do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale të Serbisë, po ashtu kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke. Ashtu siç e ceka edhe më parë, një rezultat tjetër pozitiv nga procesi i dialogut, pa dyshim do të jetë edhe vetë kontributi në paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë. Është me rëndësi të përsëris se rendi kushtetutës i Kosovës, integriteti territorial e sovraniteti i vendit, si dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës, të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator“, tha presidentja.

Sipas Osmanit, është thelbësore që secila marrëveshje që arrihet përmes dialogut, të jetë e implementueshme dhe të mbështetet nga populli i Kosovës.

Ajo premtoi se do vazhdojnë angazhimet për të ndërtuar konsensus në spektrin politik, që pas nënshkrimit të marrëveshjes, ajo të miratohet në Kuvend dhe zbatimi i saj të bëhet në mënyrë efektive.

Është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e implementueshme, e zbatueshme, po ashtu të mbështetet nga populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike. Do vazhdojmë të punojmë që të ndërtohet konsensus në gjithë spektrin politik në vend për të siguruar që marrëveshja pasi të nënshkruhet, së bashku me planin e zbatimit, të miratohet në Kuvendin e Kosovës në mënyrë transparente dhe demokratike si dhe zbatimi i plotë i saj të bëhet në mënyrë efektive“, tha tutje ajo.

Ndërkohë është publikuar agjenda e takimit të nesërm në Ohër, ku pritet të zhvillohen takime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas agjendës së takimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, bashkë me të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime dypalëshe me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

E pas përfundimit të takimeve të ndara, do të ketë edhe një takim të përbashkët trepalësh.

Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.

Koha e saktë do të përcaktohet gjatë pasdites”, thuhet në njoftimin e EEAS.

Kujtojmë se Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here