Osmani: Marrëveshja e nesërme shtron rrugën drejt njohjes reciproke

0
180

Presidentja Vjosa Osmani ka folur pas takimit të sotëm me të Dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke thënë se diskutuan për takimin e rëndësishëm që do të mbahet nesër në Ohër, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Osmani tha se vizita e Escobarit rikonfirmon përkushtimin tonë të përbashkët për të bërë progres në dialog.

“Kosova do vazhdojë të angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe me qasje konstruktive, siç ka bërë përgjatë gjithë këtij procesi, e sidomos tani, duke e kuptuar momentumin e rëndësishëm që e paraqet takimi në Ohër”, tha Osmani.

“Një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirës, ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është  e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresë për një rezultat pozitiv”, shtoi ajo.

E para e shtetit tha se çdo pengesë nga Serbia për ta penguar këtë rezultat me kushtëzime, mund të dëmtojë procesin e dialogut.

Osmani tha se marrëveshja do ta shtrojë rrugën drejt njohjes reciproke mes dy vendeve, njofton Klankosova.tv.

“Pritshmëria nga ana ime si presidente është që marrëveshja të sjellë rezultate konkrete, të prekshme për Kosovën, do të sigurojë integrimin e Kosovës në proceset euroatlantike, integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Kosovës; kjo do të rezultojë më pas me shpërbërje të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale serbe. Po ashtu kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat do ta shtrojnë rrugë drejt njohjes reciproke”.

“Është me rëndësi që rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti si dhe funksionaliteti i brendshëm i Republikës së Kosovës të ruhen me çdo kusht. Është thelbësore që çdo marrëveshje të jetë e zbatueshme dhe të mbështetet nga i gjithë populli, si dhe të miratohet në Kuvend në mënyrë transparente dhe efektive”, përfundoi presidentja Osmani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here