Çdo parti në pushtet, do të përballet pashmangshmërisht me pakënaqësi qytetare dhe çdo parti opozitare mundohet t’i shfrytëzojë ato me shpresën se në zgjedhjet e ardhshme elektorati do të vetëdijesohet.
Pikërisht këtë politikë opozitare po mundohen ta aplikojnë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Ta lënë pushtetin ekzekutiv të gabojë.
Të paktën kështu kanë deklaruar nënkryetarët e këtyre dy partive, pothuajse në të njëjtin interval kohor.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, “shpreson” që të mos mbahen zgjedhjet nacionale menjëherë sepse siç vlerësoi ai, “nuk kemi ndonjë dëshirë t’ia marrim pushtetin Albin Kurtit”.
“Le ta bëjë atë që proklamoi për 15 vite, pra ne nuk kemi asnjë lloj ngutie”, deklaroi ai në T7.
Në simetri me këtë deklaratë të Ismailit ishte edhe homologu i tij nga LDK, Gazmend Muhaxheri.
Nënkryetari i LDK-së, ka deklaruar se subjekti politik që ai përfaqëson nuk është i interesuar t’ia ndërprejë qeverisjen Kurtit.
Siç thotë ai, duan ta lënë kryeministrin Kurti të qeverisë “që ta shohin përkrahësit e tij se kjo qeveri nuk ka bërë asnjë zgjidhje për problemet e vendit”.
“Ne si LDK s’jemi të interesuar në asnjë moment t’ia ndërpresim qeverisjen. Ne jemi të interesuar ta lëmë të qeverisë, sepse e ka marrë një përkrahje të madhe popullore”, transmeton Albanian Post.
“Janë 18 muaj qeverisje dhe ka vetëm fjalë dhe shtyrje të problemeve e asnjë zgjidhje”, ka thënë Muhaxheri në Klan Kosova.
Ndryshe, në dy sondazhe të cilat u publikuan rishtas, njëri nga ‘UBO Consulting’ dhe tjetri nga ‘Pipos’, çuditërisht, partitë opozitare dalin shumë më mirë sesa performanca e tyre reale, kurse Lëvizja Vetëvendosje, e cila vazhdon të proklamojë të arriturat e saj gjatë kësaj periudhe, ka pësuar rënie.