Opozita e quan mashtrim të Qeverisë Ligjin e Pagave

0
231

Partitë opozitare në vend, e kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës për mosmarrjen e veprimeve karshi largimit të profesionistëve shëndetësor nga Kosova.

Vetëm këtë vit, 191 profesionistë shëndetësor që janë larguar nga sektori publik, ku disa prej tyre kanë shkuar në sektorin privat e disa të tjerë jashtë vendit.

Por, në anën tjetër, nga mazhoranca thonë se Qeveria ka lënë mjete për Ligjin e Pagave, që i njëjti në momentin kur votohet, të hyjë në fuqi menjëherë, pa pasur nevojë për rishikim të buxhetit.

Për pozitë e opozitë, ikja e profesionistëve shëndetësor është shqetësuese, të cilat shprehin bindjen se Ligji i Pagave sado pak mund ta ulë numrin e ikjen së mjekëve.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, tha se me veprimet e Qeverisë, është duke u punuar në parandalimin e ikjes së profesionistëve shëndetësor, qoftë me krijim të kushteve të punës, por edhe me Ligjin e Pagave.

“Në fakt kemi pas raportime dhe me shqetësim i përcjellim këto lëvizje që në fakt nuk është ikje jashtë vendit por janë ikje edhe në sektorin privat, dhe Ministria e Shëndetësisë ka marrë hapat e duhur në kuptimin e përmirësimit në radhë të parë të kushteve në vendin e punës, por edhe imputeve financiare të cilat janë pasqyruar në ligjin për paga”, tha Shkreta.

Shkreta është optimist se në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë mjete për implementimin e Ligjit të Pagave.

“Pikërisht në Buxhetin e vitit 2023, është menduar ajo kostoja buxhetore që do ta mbulojë pikërisht ligjin e pagave, e që në fakt do të ketë rritje të pagave në sektorin e shëndetësisë. Një fakt që opozita nuk e ka trajtuar drejtë ose nuk e ka përmend, është që thuhet se Qeveria ka lënë shumë mjete në kontigjencë, e që në fakt do duhej të ishte lajm i mirë sepse kontigjenca këtë rast nënkupton që në momentin që Ligji i Pagave hyn në fuqi, ka një sasi të mjeteve të cilat do të përdorën konform implementimi të ligjit për paga”, u shpreh Shkreta.

Por deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka dhënë disa shifra për largim të profesionistëve shëndetësor nga sektori publik.

Dreshaj tha se në bazë të një pyetësori, paga e ulët njëra ndër arsyet që po e braktisin Kosovën.

“Ky është fenomen shumë brengosës dhe duhet të jetë brengosës edhe për menaxhuesit e vendit, për shkak se ne ballafaqohemi me dy probleme; njëri është ikja e profesionistëve shëndetësor jashtë vendit dhe i dyti ikja e tyre nga sektori publik në atë privat. Vetëm nga viti 2018 deri në vitin 2022, kemi më shumë se 600 mjekë që e kanë lëshuar vendin e punës. ajo çka është më brengosëse është se në këtë vit, evidenton 191 profesionistë shëndetësor që janë larguar nga sektori publik. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë dalë jashtë, ndërsa pjesa tjetër kanë kaluar nga sektori publik në atë privat. Zakonisht këta kur e lëshojnë vendin e punës, bëhet një pyetësor dhe ajo që është brengosëse është që dy shkaqet që e mundësojnë është se 69 për qind e rasteve ikja nga sektori publik është si rezultat i pagesave të ulëta dhe papunësia”, është shprehur Dreshaj.

Dreshaj nuk është optimist se Ligji i Pagave do të jetë në buxhetin e vitit 2023.

“Në variantin më të mirë, nuk do ta përmirësojë, pra Ligji i Pagave është një veprim imediat i vendit që ta zgjidh problemin krucial të krizës së vendit. Deri më tani në buxhetin që e kemi, realisht nuk figuron i buxhetuar ligji i pagave dhe fatkeqësisht nuk mund të them asnjë fjalë të mirë për këtë buxhet”, tha ai.

Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, e quan mashtrim të radhës premtimet e Qeverisë rreth Ligjin të Pagave.

Zemaj nuk shpreson se Ligji i Pagave do të jetë i përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Kjo është papërgjegjësi në pjesën e angazhimeve por edhe pjesën deklarative. Kaloi një vjet nga premtimi i kësaj Qeverie që në mars do të vijë Ligji i Pagave, u tha se do të vijë në qershor dhe së fundmi është thënë se do të vijë në shtator, dhe kaloi viti dhe nuk e kemi. Ajo çka është më skandal në veprimet ekzekutive është se nuk parashihet që në ligjin buxhetor as kostoja e ligjit të ri të pagave për vitin 2023, pra ky është një mashtrim i radhës, i cili e rëndon jetën institucionale në kuptimin e moslëvizjes së pagave në sektorin publik, por edhe në sektorë tjerë deficitar që shumë individ që janë të domosdoshëm për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë në institucionet tona, janë duke u larguar nga vendet e tyre të punës për një jetë më të mirë në perëndim”, u shpreh Zemaj. “Konkretisht ka të bëjë për pjesën për shëndetësi, ku në masë të madhe kemi largim masiv sidomos në këto dy vitet e fundit dhe në këtë vit konkretisht, për arsye të kushteve të punës, të pagave të ulëta dhe elementeve tjera që kanë kaluar tash edhe në nivel injorues dhe ofendues nga Qeveria aktuale”, u shpreh tutje ai./klankosova.tv

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here