Pas më shumë se tre muaj, Brukseli thirri takim të Nivelit të Larët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tashmë me një plan konkret për “Marrëveshje Bazë” për të cilën palët kanë dhënë dritën jeshile se e pranojnë “në parim”, shkruan Insajderi.
“Plani unë besoj se do të pranohet të hënë”, tha të enjten Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Plani evropian për normalizim të marrëdhënieve “nuk do të jetë marrëveshje e përkohshme”, i tha Lajçak agjensionit serb të lajmeve “Tanjug”, ndërsa shtoi procesi për normalizim gjithëpërfshirës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “do të vazhdohet pas saj” dhe do t’i paraprijë anëtarësimeve të Kosovës dhe Serbisë në BE.
Dokumenti i hartuar për këtë “marrëveshje bazë” do të publikohet kur palët ta pranojnë zyrtarisht atë (nëse e pranojnë) të hënën, u shpreh Ndërmjetësi.
Takimin e 27 shkurtit, Miroslav Lajçak e sheh me “optimizëm” ngase, siç tha ai, “janë pjekur kushtet” për atë takim. Andaj edhe qëllimi i takimit të së hënës ai tha se “diskutimi për zbatimin e planit”. Kjo pasi ajo të pranohet “zyrtarisht dhe publikisht”.
“Po qe se plani do të refuzohej nga palët, kjo do të dërgonte sinjal negativ se palët nuk janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve dhe për përparim drejt BE-së, prandaj ne presim pranimin e tij”.
Është e qartë për të gjithë çfarë pret BE dhe ShBA nga ky takim, u shpreh diplomati sllovak, derisa dha edhe tone të zymta në rast të mospranimit.
“Refuzimi i propozimit do të ishte refuzim i normalizimit të marrëdhënieve dhe rrugës drejt BE-së dhe ShBA-së, komuniteti ndërkombëtar dhe BE do të reagonin për këtë. Tash as s’dua të flas për atë se cilat do të ishin pasojat negative”.
“Mendoj se për të gjithë është e qartë se nuk i thuhet ‘Jo’ BE-së dhe Amerikës, veçanërisht jo nëse kjo sjell stabilizim, normalizim të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.
Edhe nga ShBA janë deklaruar për takimin e Niveli të Lartë të së hënës. Megjithatë, ShBA, ndryshe nga BE e cila Kosovës i referohet me fusnotë/asterisk, që ia vendos mbi emër “për të mos ia paragjykuar statusin”, thotë se “synimi përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë”.
Amerikanët kërkojnë “qasje konstruktive nga liderët”, than nga Departamenti amerikan i shtetit për Zërin e Amerikës, shërbimin në gjuhën serbe, shkruan Insajderi.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen me shkrim të DASh’së.
“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë – për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshme”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se më 27 shkurt pret që çështja e Asociacionit të jetë e rëndësisë primare, “ose: faleminderit, kaq ishte”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër, çështjes së Asociacionit ia ka vendosur “gjashtë kushte”, prej të cilave thotë se ajo do të mund të zbatohej vetëm pas njohjes nga Serbia dhe në kuadër të planit evropian, por assesi t’i paraprijë asaj./Insajderi