A mund ta imagjinoni të lindni në det, të jetoni gjithë jetën në det dhe të banoni në varka të vogla gjatë gjithë jetës suaj? Tingëllon e çuditshme.
Bajau Laut është një grup etnik nomadësh detarë që kanë jetuar në det për qindra vjet. Ata rrallë shkelin në tokë. Gjatë shekujve, trupat e tyre janë përshtatur gjenetikisht për zhytje. Ndërsa qeniet njerëzore normale mund të mbajnë frymën e tyre nën ujë vetëm për disa sekonda ose disa minuta, këta zhytës të jashtëzakonshëm mund të qëndrojnë nën ujë për gati 13 minuta pa ndonjë pajisje të sofistikuar.
Origjina e tyre mund të gjurmohet prapa në kohë te legjenda e një princeshe nga Jahor e cila u rrëmbye nga një përmbytje. Babai i saj i pikëlluar urdhëroi njerëzit e tij të largoheshin nga toka dhe të ktheheshin vetëm kur të gjenin vajzën e tij.
Përgjatë shekujve, këta detarë janë adaptuar me jetën detare dhe janë bërë zhytës të mrekullueshëm. Ata gjuajnë peshq dhe kërkojnë për perla e elemente të tjera që mund të përdoren për punë artizanale.
Studiuesit u morën shumë me ta dhe zbuluan se shpretkat e tyre janë më të mëdha se te njerëzit e tjerë, gjë e ngjashme me gjitarët që jetojnë në det. Shpretka luan një rol të rëndësishëm për jetesën në ujë sepse kontribuon në ruajtjen e energjisë kur oksigjeni është i ulët. Për këtë arsye, studiuesit mendojnë se zmadhimi i shpretkës te ky komunitet mund të jetë avantazhi gjenetik që kanë zhvilluar përgjatë vitesh për t’u mundësuar të qëndrojnë nën ujë për periudhë të gjatë.
Shkencëtarët hasën edhe në PDE10A, një gjen special prezent vetëm te Bajau Laut, që mendohet se kontrollon një hormon tiroidesh të veçantë.