Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, para kamerave serbët hoqën uniformat e Policisë së Kosovës me direktiva të Beogradit, nëntë muaj pas kësaj sot policët e rinj serbë do të nisin punën në komunat veriore të Kosovës.
Policia në veri sot ka 74 policë të rinj, të gjithë nga komunitetet joshqiptare, ku më shumë se gjysma apo 45 janë serbë, 16 janë boshnjakë, tre janë turq dhe 8 janë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
Lajmin e ka konfirmuar për portalin në gjuhën serbe “KoSSev” zëvendës komandanti për rajonin e Veriut, Veton Elshani, transmeton Zeri.info.
Ai pohon se policët e rinj serbë janë nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe shumica e tyre janë nga Mitrovica e Veriut , Leposaviqi dhe Zubina Potok.
Elshani ka konfirmuar se policët e rinj nga sot fillojnë punën në stacion dhe në terren, por se trajnimi i tyre vazhdon.
“Tashmë përmes punës praktike aftësohen shtesë për të punuar në patrulla dhe detyra të tjera të nevojshme. Ata do të trajnohen për dy ose tre muajt e ardhshëm”, tha Elshani.
Këta oficerë janë pjesë e një grupi prej 418 kadetësh të diplomuar të Policisë së Kosovës. Në ceremoninë e përfundimit të stërvitjes gjashtëmujore, që u mbajt javë më parë në Prishtinë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se ky shërbim është “institucioni më i besueshëm në Kosovë”. /Zëri