Në Suharekë është vendosur gurthemeli i Qendrës Rekreative për persona me Sindromin Down dhe me Autizëm, e financuar nga “Fondacioni Valon Vataj”.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi.
Kryetari Muharremaj e quajti këtë projekt si një ndër projektet më të rëndësishme në Komunën e Suharekës, duke shtuar se personat me nevoja të veçanta kanë nevojë për përkrahje më të madhe.
“Me të vërtetë është duke ndodhur një risi në Komunën e Suharekës. Asnjë komunë sot nuk ka projekte që po realizohen nga afaristë, sikur po ndodh në Komunën e Suharekës. Ky projekt do të jetë i veçantë për fëmijët me nevoja të veçanta. Falënderoj bizneset që po bëjnë një punë të veçantë në të mirë të Suharekës ”
Ndërsa Valon Vataj, drejtor i Fondacionit, tha se të qenit filantrop është misioni më i rëndësishëm në jetën e tij, ndërsa premtoi se Qendra do të jetë gati më 1 qershor, që përkon edhe me ditën ndërkombëtare të fëmijëve.
“Ky projekt ka një rëndësi të veçantë për mua. Për mua të qenit filantrop është një ndër misionet më të rëndësishme në jetë, dhe unë ju premtoj se deri më 1 qershor, kur është edhe dita ndërkombëtare e fëmijëve, kjo qendër do të jetë gati, dhe ne do të vazhdojmë të e përkrahim deri në ditën kur ajo kalon në pronësi të komunës”
E Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, tha se me kalimin e viteve do të vërtetohet se kjo qendër është ndër projektet më të rëndësishme të Suharekës, pasi dalja në ndihmë e personave me nevoja të veçanta është ndër misionet më të shenjta.
“Personat me nevoja të veçanta e sidomos fëmijët janë kategoria më e rëndësishme e shoqërisë tonë, dhe ne duhet gjithmonë t’u dalim në ndihmë që t’ua bëjmë jetën më të lehtë. Dhe një projekt i tillë është shenjë se njerëzit e mirë nuk mungojnë, e unë i them Valonit se me kalimin e viteve, ai do t’ia dijë rëndësinë çdo herë e më shumë kësaj qendre, dhe do të ndihet krenar për punën e mirë që ka bërë për t’u dalë në ndihmë personave me nevoja të veçanta”
Qendra Rekreative për persona me Sindromin Down dhe autizëm ka një vlerë prej 500 mijë euro./Ndertimi.info