Gjatë vitit 2022, në Komunën e Prizrenit janë regjistruar afërsisht trefish më shumë kërkesa për lirim nga shtetësia e Kosovës krahasuar me numrin e kërkesave nga shtetasit e huaj për marrjen e shtetësisë së Kosovës. Ky trend, sipas zyrtarëve komunalë, është i ngjashëm me vitet e shkuara, ndonëse në vitin e fundit ka një rritje të lehtë të kërkesave të personave të huaj për marrjen e shtetësisë së Kosovës.
Në Komunën e Prizrenit ka vazhduar trendi i kërkesave për lirim nga shtetësia e Kosovës. Paralelisht kësaj, janë rritur kërkesat e personave të huaj për fitim të shtetësisë, përkatësisht për pajisje me dokumentet e Republikës së Kosovës.
Sipas të dhënave të paraqitura nga drejtori i Administratës në Komunë, Edin Shehu, gjatë vitit 2021 janë regjistruar 244 kërkesa për lirim nga shtetësia dhe 65 kërkesa për fitim të shtetësisë. E, gjatë vitit 2022 janë regjistruar afërisht trefish më shumë kërkesa për lirim nga shtetësia krahasuar me kërkesat për marrjen e shtetësisë së Kosovës.
“Gjatë vitit 2022 kërkesë për lirimin e shtetësisë i kemi pasur 237, pra 237 persona me nënshtetësi kosovare kanë kërkuar lirim nga shtetësia. Ndërsa 86 persona të huaj kanë kërkuar që të pajisen me dokumente të Republikës së Kosovës”, ka thënë Shehu.
Sipas tij, shumica e kërkesave për lirim nga shtetësia vijnë shkaku që shtetet e caktuara perëndimore nuk lejojnë dyshtetësinë.
“Nga praktika mund të themi se njëra nga arsyet kryesore të emigrimit është për një jetë më të mirë. Shumica e këtyre që kanë kërkuar lirim nga shtetësia është për shkak se i kanë bërë dokumentet e nevojshme në shtetin e caktuar dhe meqë ka shtete që nuk lejojnë dy nënshtetësi, atëherë janë të detyruar që të kërkojnë heqjen apo lirimin nga shtetësia”, ka thënë ai.
Legjislacioni i Kosovës lejon shtetësinë e shumëfishtë pasi shtetasi i kësaj Republike mund të jetë edhe shtetas i një ose më shumë shteteve të tjera.