Është ndarë nga jeta, arkitektja Hysnije Hisari nga Prizreni. Lajmin për vdekjen e arkitektes dhe urbanistes, Hisari, e kanë bërë publik Asociacioni i Arkitektëve të Kosovësdhe Iniciativa për Vlerësimin, Mbrojtjen dhe Promovimin e Trashëgimisë Moderne në Kosovë.
Në njoftimin mortor nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, shkurhet se ky Asociacion shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen dhe komunitetin e arkitektëve, me rastin e ndarjes nga jeta të arkitektes Hysnije Hisari! “Shprehim mirënjohje për kontributin e madh të ark. Hysnije Hisari në praktikën profesionale, veçanërisht për qytetin e Prizrenit, duke besuar se puna e saj do të mbetet shembull për gjeneratat e reja!”, thuhet në këtë njoftim mortor. Gjithashtu për vdekjen e arkitektes Hisari, me një njoftim ka dalë edhe Iniciativa për Vlerësimin, Mbrojtjen dhe Promovimin e Trashëgimisë Moderne në Kosovë.
“Iniciativa për Vlerësimin, Mbrojtjen dhe Promovimin e Trashëgimisë Moderne në Kosovë me pikëllim pranoi lajmin për ndarjen nga jeta të arkitektes/ urbanistes Hysnije Hisari. Me këtë rast MODERNe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe komunitetin e arkitektëve dhe urbanistëve. Arkitektja dhe urbanistja Hysnije Hisari, lindur në Prizren (1946), dha një kontribut të shquar në praktikën profesionale e sidomos në formësimin e arkitekturës moderne, duke qenë njëherit edhe një ndër arkitektet gra më të shquara të kohës.
Studimet për Arkitekturë, drejtimi Urbanizëm i përfundoi në vitin 1971 në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanizmit në Univesitetin e Sarajevës. Konsiderohet urbanistja e parë në qytetin e Prizrenit. Nga viti 1972-77 veproi si urbaniste kryesore në Drejtorinë për Urbanizëm pranë Komunës së Prizrenit dhe gjithashtu si mësimdhënëse në shkollën e mesme teknike të qytetit (1972-73).
Në vitin 1972 ishte anëtare e grupit punues për hartimin e Programit për Planin Hapësinor të Kosovës në ish-Jugosllavi. Më vonë punoi si drejtoreshë e Drejtoratit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (1977-79) si dhe urbaniste-planere pranë BVI për Banim dhe Planifikim Hapësinor (1980-90).
Prej projekteve veçohen: Programi dhe Zgjidhja Urbanistike për kompleksin banesor Kullat – lagjja Bazhdarhane (1971), Programi dhe Projekti Urbanistik-Qendra Sportive Sezair Surroi (1975), Plani Detal Urbanistik i ndërtesave të banimit individual – lagjja Bazhdarhane (1975), Plani Detal Urbanistik për lagjen Ortakoll (1981-82).”