Drejtori Sportiv i Juventusit, Christian Giuntoli ka nisur punën për të ndërtuar një skuadër në funksion të dëshirave të Thiago Mottës, trajner i ri i bardhezinjve, teksa objektiv kryesor është afrimi i një sulmuesi të djathtë.
Ëndrra e torinezëve është Jadon Sancho, i cili është rikthyer te Manchester United pas huazimit 6-mujor te Borussia Dortmund, por çmimi i lartë i kartonit dhe paga e majme prej 8 milionë eurosh neto, kanë bërë që Giuntoli të stepet disi në negociata.
Alternativa të tij janë Edon Zhegrova i Lille, por edhe belgu Alexis Saelemaekeres, të cilin Thiago Motta e pati sezonin e kaluar edhe te Bologna, duke e rikthyer në formën e tij më të mirë.
Zhegrova shihet si një element mjaft i talentuar dhe me cilësi në këmbë, por mbetet të shihet përshtatshmëria në kampionatin italian. Nga ana tjetër, belgu Saelemaekers është i konfirmuar tashmë në Itali, pasi luan prej disa sezonesh dhe krahas opsioneve të ndryshme taktike që ofron, kushton edhe më pak.
Një tjetër shqiptar në listën e Giuntolit është edhe Mario Mitaj, mbrojtësi 20-vjeçar i Kombëtares Shqiptare, i cili është pjesë e Lokomotivës së Moskës në Rusi. Mbrojtësi i majtë ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, përfshi edhe Bolognën në Itali, teksa Motta ka dhënë miratimin e tij për ta marrë në Torino.
Në favor të mbrojtësit shqiptar janë mosha e re dhe çmimi, krahas cilësive të shumta teknike që disponon. Gjithsesi vetë Mitaj është i përqendruar në Euro 2024 me Shqipërinë dhe vetëm pas përfundimit të rrugëtimit atje, do të mund të mendojë për të ardhmen./SS