Mjeku prizrenas, Dardan Muçaj: Puna kërkimore-shkencore me rëndësi për avancimin e njohurive mjekësore

0
5976

Për Dr. Dardan Muçajn, specializant në Urologji, Kursi mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza e Parë, ka qenë një mundësi e mirë, pasi që përmes moduleve jemi njoftuar për principet bazike të punës në lëmitë e kirurgjisë, dhe se puna kërkimore-shkencore gjithmonë është shumë me rëndësi për avanvimin e njohurive mjekësore.

Në një intervistë për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës, Muçaj tha se “suksesi ynë ka qenë për faktin se para dhe pas çdo ligjërate kemi bërë hulumtim dhe diskutim për temën e caktuar, si dhe paraprakisht kemi lexuar materialin për çdo ligjëratë”.

Sidoqoftê, ai është shumë optimist se Kolegji i Kirurgëve të Kosovës do t’i ketë parasysh organizimet e tilla edhe në të ardhmen, pasi që janë në të mirë të avancimit të mjekëve të rinj, dhe se organizimet e tilla kanë efekt pozitiv në punën e përditshme.

– Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka përfunduar Kursin mbi Edukimin Bazik të Specializantëve të Kirurgjisë – Faza e Parë. Ju jeni dalluar në këtë kurs për pjesëmarrje aktive. Çfarë do të thotë ky kurs për ju, dhe a i keni arritur pritshmëritë tuaja?

𝗗𝗿. 𝗗𝗮𝗿𝗱𝗮𝗻 𝗠𝘂𝗰̧𝗮𝗷: Kursi mbi Edukimin Bazik i Specializantëve të Kirurgjisë ka qenë një mundësi e mirë për neve që edukimin bazik, principet bazike të punës në lëminë e kirurgjisë t’i marrim nga ligjëratat, të cilat janë të njësuara me ligjëratat nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve. Kursi ka pas efekt shumë pozitiv për mua në punën time të përditshme në sallë të operacionit, sepse shumë principe të marra nga ky kurs kam filluar t’i zbatoj në përditshmërinë time. Është shumë me rëndësi për çdo profesion, sidomos për lëminë e ndjeshme si kirurgjia, që si detyrë e parë e punës të përvetësohen shprehi të duhura, sepse shprehitë e mira të fituara në fillim, të përcjellin gjatë gjithë jetës.

– Ju së bashku me Dr. Hekuran Elezi, specializant po ashtu në Urologji, keni zënë ndër vendet e para në arritshmëi në këtë kurs. Si keni arritur një sukses kaq të lartë?

𝗗𝗿. 𝗗𝗮𝗿𝗱𝗮𝗻 𝗠𝘂𝗰̧𝗮𝗷: Në përgjithësi, kolegët nga Urologjia kemi qenë shumë aktiv, si në pjesëmarrje, e po ashtu edhe në diskutime gjatë ligjëratave. Mendoj që suksesi ynë ka qenë për faktin se para dhe pas çdo ligjërate kemi bërë hulumtim dhe diskutim për temën e caktuar, si dhe paraprakisht kemi lexuar materialin për çdo ligjëratë që na është dërguar në email.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

– Jeni specializant në Klinikën e Urologjisë, sa ju ka ndihmuar Kursi në fjalë në avancimin tuaj profesional?
𝗗𝗿. 𝗗𝗮𝗿𝗱𝗮𝗻 𝗠𝘂𝗰̧𝗮𝗷: Unë kam përfituar shumë prej këtij kursi, sidomos për principet bazike të punës, të cilat na janë shpjeguar nga specialistët e Kirurgjisë së Përgjithshme- Abdominale dhe Kirurgjisë Plastike dhe Rekontruktive, të cilat gjejnë shumë zbatim edhe në punën tonë në Urologji.
– A do të vazhdoni me pjesëmarrjen tuaj në Fazën e Dytë të Kursit mbi Edukimin Bazik?

𝗗𝗿. 𝗗𝗮𝗿𝗱𝗮𝗻 𝗠𝘂𝗰̧𝗮𝗷: Po, me shumë dëshirë do të marr pjesë edhe në Fazën e dytë të Kursit mbi Edukimin Bazik, dhe jo vetëm. Me më shumë dëshirë do të marrim pjesë nëse do të organizohej ndonjë Kurs mbi Edukimin e Avancuar, sidomos ndonjë kurs apo punëtori për laparoskopi apo endourologji, ku do të parashihej cikël i ligjëratave dhe ushtrimi në fantome me këto pajisje mjekësore. Jam shumë optimist se Kolegji i Kirurgëve të Kosovës do t’i ketë parasysh organizimet e tilla edhe në të ardhmen, pasi që janë në të mirë të avancimit të mjekëve të rinj.

– Meqë ju jeni specializant në Urologji, dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka për bazë edukimin e vazhdueshëm të specialistëve të disiplinave të ndryshme kirurgjike, si dhe specializantëve dhe studentëve të kirurgjisë, përmes Kongresit Klinik, kurseve, punëtorive dhe komiteteve, sa jeni i gatshëm të kontribuoni në këtë drejtim?

𝗗𝗿. 𝗗𝗮𝗿𝗱𝗮𝗻 𝗠𝘂𝗰̧𝗮𝗷: Puna kërkimore-shkencore gjithmonë është shumë me rëndësi në përparim të njohurive mjekësore. Prandaj, për mua dhe natyrisht edhe për të tjerët do të ishte shumë e mirëseardhur që të jap çfarëdo kontributi në çdo kohë, qoftë në përgatitje të punimeve shkencore, apo punëtorive, që padyshim do të ishte në të mirë të edukimit të personelit shëndetësor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here