Fryrja e barkut është një dukuri mjaft e zakonshme dhe mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave. Megjithatë, me këshilla të thjeshta nga një mjek, mund ta shpëtoni atë.
Edhe pse zakonisht shkaktohet nga grumbullimi i gazit në zorrët, mund të jetë gjithashtu rezultat i problemeve të tretjes si kapsllëku ose intoleranca ushqimore.
Nëse zgjat më shumë se tre javë, ia vlen të kërkoni këshilla mjekësore pasi mund të lidhet me diçka më serioze. Megjithatë, në shumicën e rasteve, fryrja mund të reduktohet thjesht duke ndryshuar zakonet tuaja të të ngrënit.
“Nëse doni të reduktoni fryrjen, kjo gjë është falas, e lehtë për t’u bërë, nuk përfshin suplemente dhe në shumë raste është shumë efektive”, tha doktor Karan Rajan.
Këshilla e tij është mjaft e thjeshtë. Bëni pushime ndërmjet vakteve. Kjo do të thotë që nuk ka “snack” dhe distanca midis vakteve duhet të jetë të paktën tre ose katër orë.
Doktor Rajan shpjegoi se kjo lejon që zorrët të pastrohen nga grimcat e mbetura të ushqimit dhe bakteret, të cilat mund të çojnë në fryrje.
“Brenda traktit tuaj të tretjes ju keni ‘mbledhësit’ tuaj të brendshëm të mbeturinave të njohur si kompleksi motorik migrues. Është një tkurrje muskulore e ngjashme me valën që kalon nëpër traktin tretës midis vakteve, duke hequr mbetjet ushqimore dhe bakteret. Kjo siguron që zorrët tuaja të qëndrojnë të pastra dhe efikase”, shpjegoi ai.
Ky proces është thelbësor për parandalimin e rritjes së tepërt të baktereve dhe grumbullimit të mbetjeve ushqimore, të cilat mund të çojnë në fryrje dhe parehati. Megjithatë, ky sistem mund të funksionojë plotësisht vetëm nëse i jepni zorrëve një pushim nga të ngrënit.