Gjatë periudhës 2016-2022 tregu i sigurimeve në Kosovë është rritur për më shumë se 35 milionë euro, nga 8 milionë euro sa ishte rritur në periudhën 2010-2015. Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, thotë se për sukseset e arritura meritat i takojnë guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmetit, por edhe drejtorëve të kompanive të cilët kanë treguar vullnet dhe përkushtim në zhvillimin dhe modernizimin e tregut. Mazreku tregon se sot Byroja Kosovare e Sigurimit, por edhe kompanitë e sigurimeve janë model jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
iSIGURIME
Tregu i sigurimeve gjatë gjashtë viteve të fundit ka pasur një hov të përshpejtuar të zhvillimit, krahasuar me periudhat paraprake. Gjatë kësaj periudhe kohore kompanitë kanë rritur produktet, por kanë qenë edhe shumë të shpejtë në pagesën korrekte të dëmeve për palët e dëmtuara.
Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë periudhës 2016-2022 tregu i sigurimeve në Kosovë është rritur për më shumë se 35 milionë euro, nga 8 milionë euro sa ishte rritur në periudhën 2010-2015. Pra, në fund të muajit nëntor të këtij vit shuma e premive të pranuara nga kompanitë e sigurimeve si dhe BKS-ja ka kaluar vlerën prej më shumë se 115 milionë euro, nga 78,8 milionë euro sa kishte qenë në fund të vitit 2015.
Gjatë periudhës në fjalë gjithashtu ka pasur rritje të përshpejtuar të tregut vullnetar të sigurimeve si dhe rritje tepër e madhe e pagesës së dëmeve.
Gjithnjë referuar të dhënave zyrtare të BQK-së, shihet së në fund të vitit 2015 të hyrat totale nga sigurimet vullnetare kanë qenë më pak se 26 milionë euro, derisa në fund të muajit nëntor të këtij vit, pra për një periudhë 11 mujore, jo një vjeçare, shuma e premive të pranuara në emër të sigurimeve vullnetare ka arritur në 46,4 milionë euro, pra shihet se kemi një dyfishim të hyrave, një rritje të madhe të tregut të sigurimeve vullnetare.
Vetëm gjatë periudhës janar-nëntor 2022 shuma e mjeteve që janë shpenzuar në emër të pagesës së dëmeve nga kompanitë e sigurimeve si dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve ka rritur në rreth 52 milionë euro, pa përfshirë këtu edhe muajin dhjetor, nga 36,8 sa ka qenë gjithsej në vitin 2016. Nëse bëjmë një krahasim shihet qartë se ka një rritje të madhe prej më shumë se 40%.
Mazreku: Kjo është periudha e zhvillimit të tregut
Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), thotë se meritat e mëdha në zhvillimin e sektorit gjatë kësaj periudhe kohore i ka guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, por edhe drejtoret e kompanive të sigurimeve të cilët kanë treguar përkushtim dhe vullnet në modernizimin e tregut.
“Pra, referuar të dhënave zyrtare shihet se gjatë gjashtë viteve të fundit ka lulëzuar sektori i sigurimeve. Gjatë kësaj periudhe kohore kemi një zhvillim shumë të madh të tregut vullnetar, kemi rritje të të hyrave, por edhe kemi rritje shumë të madhe të pagesës së dëmeve. Si në Byronë Kosovare të Sigurimit, ashtu edhe nëpër kompani të sigurimit një pjesë e madhe e dëmeve, pra ata që pajtohen me vlerësimet, pagesat behën në kohë reale, derisa ata që nuk pajtohen, procedurat vazhdojnë në Gjykatë. Pra, nga dita në ditë kemi rënie të dukshme të rasteve që përfundojnë në Gjykatë”, ka thënë drejtori Mazreku.
Sipas Mazrekut rritja e të hyrave prej më shumë se 35 milionë euro gjatë gjashtë viteve të fundit, nga rreth 8 sa ishte në periudhën paraprake gjashtë mujore konfirmon se kjo është periudha e zhvillimit të tregut të sigurimeve në vend.
“Mos të harrojmë, po flasim vetëm për 11 muaj të vitit 2022, unë besoj se me të dhënat e muajit dhjetor rritja do të kalojë vlerën mbi 40 milionë euro”, shtoi Mazreku.