Marinsi amerikan që urrente myslimanët shkon ta bombardojë xhaminë. Plani merr kthesë të habitshme

0
219

Sapo pjesëtarët e Qendrës Islamike të Muncie e panë burrin që po shkonte drejt tyre, ata e dinin se ai ishte telash.

Ai ishte një burrë i madh me shpatulla të gjera, që ecte drejt xhamisë së tyre me kokën poshtë dhe fytyrën e kuqe që dukej se ishte i zemëruar. Ishte e premte në qendrën në Muncie, Indiana, dhe xhamia po mbushej me njerëz që po shkonin për lutje. Si i huaj me një tatuazh marinsi në krahun e djathtë dhe një kafkë në krahun tjetër, ai dallohej.

Quhej Richard “Mac” McKinney, dhe ishte aty jo për t’u falur por për të shkatërruar. Ai ishte një ish-marins amerikan i cili kishte zhvilluar urrejtje kundër islamit gjatë luftës në Irak dhe Afganistan. Zemërimi i tij u thellua kur u rikthye në shtëpi dhe pa se si myslimanët ishin vendosur në atë që ai e quante qytetin e tij, dhe madje dërgonin fëmijët e tyre të uleshin afër vajzës së tij në shkollën fillore.

I pamundur ta përmbante zemërimin, ai shkoi në qendrën islamike atë ditë në vitin 2009 në atë që e pa si misionin e fundit. Ai do ta vendoste një bombë në xhami me shpresën se do të vriste e plagoste qindra myslimanë. Ishte në një mision zbulimi që ta zgjidhte një vend për ta fshehur bombën dhe të mblidhte informacione që do ta vërtetonin pretendimin e tij se islami ishte ideologji vrastare.

“U thosha njerëzve se islami ishte kancer; dhe se unë isha kirurg që do ta shëroja atë”, ka thënë ai.

Por, kur McKinney u fut në xhami, ai u përball me një formë rezistence për të cilën nuk ishte përgatitur. Diçka ndodhi atë ditë që do ta ndryshonte atë në një mënyrë që nuk e priste.

Njerëzit jetët e të cilëve kishte qëllim t’u jepte fund, do të përfundonin duke ia shpëtuar jetën atij.

Ajo që i ndodhi atij duket si në filma, dhe një i tillë është bërë për të.

Transformimi i McKinneyt është shfaqur në një dokumentar të titulluar “Stranger at the Gate”. Aty tregohet se McKinney braktisi komplotin e tij dhe përfundoi duke u konvertuar në islam dhe duke përqafuar një rol befasues në xhami.

“Stranger at the Gate” tani është kandidat për Oscar këtë të diel në kategorinë e dokumentarëve të shkurt.

McKinney ka folur për CNN-in për të rikujtuar ditën kritike duke menduar se ajo e premte do të përfundonte me vdekjen e tij.

“Në fund të ditës, thash se ata do të më çonin në bodrum me një shpatë në fyt”, ka thënë ai.

Në vend të saj, pjesëtarë të xhamisë dolën përpara dhe e çarmatosën atë me disa fjalë impresive që ia shpëtuan jetën.

McKinney ka treguar se ai ishte i trajnuar t’i shihte ushtarët irakianë dhe taleban jo si qenie njerëzore por si caqe letre në një poligon. Kur u kthye në shtëpi ai u zhyt në alkool për t’i shtypur eksperiencat e luftës.

Duke parë myslimanë, atij iu rishfaq dhimbja që ndjente në luftë. E urrente prezencën e tyre në Muncie sepse i dukej si përqeshje për sakrificën që ai dhe shokët e tij të luftës kishin bërë në Irak dhe Afganistan.

“Nuk doja ta ndaja. E shihja Amerikën si timen. Derdha gjak për të. Ishte si një gjë ‘Ti nuk e ke vendin këtu’”, është shprehur ai.

Ai tregoi tutje se filloi vizitat pak e nga pak në xhami dhe pas tetë muajsh nga vizita e parë, ai u konvertua në islam. Pas ceremonisë, ai u përqafua nga njerëzit të cilët një herë synonte t’i lëndonte. Me kohë, ai madje shërbeu për dy vjet si kryetar i Qendrës Islamike në Muncie.

McKinney ka thënë se nëse njerëzit në xhami do të silleshin me armiqësi ditën e parë kur u takuan, rezultati ndoshta do të kishte qenë gjakderdhja.

Por tani, McKinney nuk është më një i huaj te porta e xhamisë, ai ka gjetur një grup motrash e vëllezërish – jo të një beteje, por të një besimi./Koha

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here