Qeveria e Kosovës ka ndaluar hyrjen e kamionëve me mallra serbe në territorin e saj, duke rezultuar në bllokimin e dhjetëra kamionëve në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa vlera e mallrave të bllokuara nga shkëmbimet e të dyja palëve, sipas AKB-së, arrin rreth 70 milionë euro. Dhe sipas njohësve të ekonomisë kjo çështje duhet të zgjidhet me vendime politike
Kidnapimi i tre policëve të Kosovës, nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, bëri që Qeveria e Kosovës ta ndaloj hyrjen e kamionëve me mallra dhe targa serbe në territorin e saj. Me t’u marrë ky vendim, nga data 15 qershor, dhjetëra kamionë ishin bllokuar në anën serbe të kufijve, përkatësisht në vendkalimet Merdare dhe Jarinjë.
Pas kësaj mase drastike të ndalimit të hyrjes së kamionëve me mallra dhe targa serbe në Kosovë, Qeveria ka marrë një vendim të ri që lejon pjesërisht lëvizjen e mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës.
Sipas burimeve të afërta të portalit Dukagjini me institucionet vendimmarrëse të Kosovës, nga data 21 qershor është lejuar hyrja e kamionëve me targa serbe, por me një kusht – mallrat e tyre të mos kenë origjinë nga Serbia.
Ky vendim i ekzekutivit, është mirëpritur nga drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili ka vlerësuar se kjo masë pengonte importin e mallrave nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe eksportet kosovare që përdornin shërbimet e transportit të kompanive nga Novi Pazar.
Ai gjithashtu ka përmendur se ky ndalim tashmë është shfuqizuar, duke besuar se Qeveria ka pasur parasysh pengesat dhe vështirësitë që mund të shkaktoheshin nga kjo situatë.
“Është për t’u mirëpritur vendimi që rishikon ndalimin e lëvizjes së automjeteve me targa të Serbisë, meqë kjo pengonte edhe importin e mallrave me origjinë nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, por edhe eksportet kosovare që shfrytëzonin shërbimet e transportit të kompanive nga Novi Pazari. Kjo ndalesë megjithatë është shfuqizuar dhe besoj që Qeveria ka pasur parasysh edhe pengesat e sipërcekura”, ka deklaruar ai për portalin Dukagjini.
Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), ka bërë të ditur se shkëmbimet nga të dyja anët janë të bllokuara në një shumë prej rreth 70 milionë euro, duke përfshirë paratë e parapaguara për produkte të bizneseve të Kosovës në Serbi dhe borxhet e bizneseve të Kosovës ndaj Serbisë.
Në bazë të kësaj llogaritje, kryetari i kësaj Aleance, Agim Shahini, ka thënë se vlera e mallrave që bizneset e Kosovës kanë të kontraktuara dhe janë të parapaguara me kompanitë serbe arrin vlerën rreth 30 milionë euro. Këto para janë investuar në lëndë të parë dhe produkte të gatshme që janë në pritje të hyrjes në Kosovë.