Lyon po kalon një prej periudhave më të errëta në histori, me skuadrën që pas nëntë javësh pozicionohet në vendin e fundit, me vetëm 3 pikë pas tre barazimesh.
Për këtë ka folur edhe portieri veteran, Anthony Lopes, me portugezin që theksoi se skuadra e ka potencialin për të dalë nga ky moment, por të gjithë, më shumë se cilësitë duhet të tregojnë karakterin e tyre.
“Ndaj Clermont e nisëm shumë keq, nuk mund ta mohojmë këtë, ashtu siç nuk mund të mohojmë që jemi në vendin e fundit dhe nuk po dalim dot nga kjo situatë. Jemi në një moment shumë të vështirë në të cilën klubi nuk ka qenë prej vitesh. Nuk e di nëse shumë lojtarë e kanë përjetuar diçka të tillë, por vetëm me lojtarë që kanë karakterin e duhur do të jemi në gjendje t’ia dalim. Po e theksoj, na duhet të tregojmë karakterin tonë, jemi këtu, por nuk duhet të dorëzohemi. Tani duhet të ecim përpara të gjithë së bashku, duhet ta bëjmë për klubin, për tifozët sepse ata meritojnë më shumë.” – përfundoi Lopes./SS