Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka reaguar pas publikimit të raportit të Auditorit për vitin 2024, duke e quajtur Komunën “zonë të krimit financiar”, raporton 04 Online.
Sipas LVV-së, raporti pasqyron keqmenaxhimin, shkeljet ligjore dhe abuzimin me mbi 10 milionë euro, përfshirë detyrime të rrejshme, pasuri të paregjistruara, subvencione të paligjshme dhe kontrata pa mbulesë buxhetore.
Ata e cilësojnë këtë si përgjegjësi të drejtpërdrejtë të klanit Totaj–Elshani.
Reagimi i plotë i LVV-së në Prizren
Shtëpia e Bardhë – Zonë e Krimit
Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore për vitin 2024 në Komunën e Prizrenit – pasqyron keqmenqxhimin, shkeljet ligjore dhe abuzimin me paratë publike nga klani Totaj – Elshani.
Gjetjet Auditorit për vitin 2024 në Komunën e Prizrenit janë skandaloze. Në shumë prej gjetjeve të Auditorit pajtohet edhe ekzekutivi komunal, përfshirë dhe kryetarin Totaj.
Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prizrenit për vitin 2024, ka gjetur:
2.3 milionë euro të raportuara rrejshëm si detyrime gjyqësore – nuk përputheshin me dokumentet zyrtare. Mbivlerësim që çon në planifikim të rremë buxhetor.
846 mijë euro të keqklasifikuara – Paga, shujta dhe larje rrugësh janë paguar nga investimet kapitale, duke dëmtuar projekte madhore.
645 mijë euro pasuri komunale të paregjistruara – shkolla, rrugë e objekte publike që “nuk ekzistojnë” në regjistra financiarë.
71 mijë euro të ardhura të mbivlerësuara – për shkak të mosazhurnimit të regjistrit të borxheve. Shifra të fryra për të krijuar perceptim stabiliteti.
1.7 milionë euro kontratë publike e ndryshuar pa leje – Ndërtimi iQendrës Kulturore Turke ka nisur pa leje ndërtimore, pa aprovim dhe pa ndryshim zyrtar të kontratës.
Prokurime të mëdha pa fonde në buxhet – për projekte në vlerë prej mbi 4 milionë €, Komuna nënshkroi kontrata pa mbulesë financiare.
Subvencione të ndara në kundërshtim me rregulloret – një OJQ përfitoi deri në 186,000 € brenda një viti, duke marrë tri herë fonde, shpesh edhe pa dokumentacion të nevojshëm.
Vonesa ekstreme në pagesat e faturave – 653 mijë € fatura të paguara me 15 deri në 213 ditë vonesë, duke rrezikuar përmbarime e penalitete për Komunën.
Mospërdorimi i sistemit elektronik për kontratat publike – mungesë totale transparence dhe menaxhim joprofesional në 9 kontrata të mëdha.
Borxhet komunale rriten me mbi 4 milionë euro – mungesë e veprimeve ligjore për inkasimin e të hyrave, duke dështuar të mblidhen qindra mijëra euro nga tatimi në pronë, mbeturina, taksa e qira.
“Keqmenaxhimi, shkeljet ligjore dhe abuzimi me paratë publike në Komunën e Prizrenit mbajnë vulën e klanit Totaj – Elshani”.