Qendra e LVV-së në Prizren ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Asamblenë Komunale në këtë komunë.
Siç thuhet në reagimin e LVV-së, ditëve të fundit kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj dhe drejtorët e tij kanë qenë arrogant dhe mospërfillës ndaj kërkesave dhe interesave të qytetarëve.
“Sot, për të disatën herë, ekzekutivi i Komunës së Prizrenit injoroi Asamblenë Komunale duke mos qenë prezent në Mbledhjen e rregullt të saj për këtë muaj.
Që nga ardhja në pushtet, Shaqir Totaj dhe drejtorët e tij, kanë qenë arrogant e mospërfillës ndaj kërkesave dhe interesave të qytetarëve, duke shtyer përpara çështje të klikave të pushtetarëve dhe dostave të tij personal! Përveç këtyre, Totaj dhe drejtorët e tij, shpesh herë ofendojnë dhe përqeshin kuvendarët, duke mos u përgjigjur në çështjet dhe pyetjet e tyre, që janë e drejtë ligjore dhe kërkesa të qytetarëve.
Në seancën e fundit kishte një shpërfaqje më të madhe të arrogancës, kryesisht nga drejtorët që kanë të bëjnë me shërbime publike dhe inspektoriateve, dhe jo vetëm.
Duke marrë parasysh këto dhe mungesën pothuajse të krejt kabinetit të Totajt dhe vet atij sot në seancë, Asamblistët, pothuajse të gjithë pa dallim, braktisën mbledhjen duke mos u bërë kështu pjesë e ekzekutivit që e sheh Asamblenë si objekt që mund të tallen me të.
Grupi i Kuvendarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Prizren”, thuhet në reagimin e LVV-së në Prizren./04 Online