Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e saj në lidhje me zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Drejtorinë e Arsimit, përkatësisht me mostransparencën e saj me përzgjedhjen e Sekretarëve në disa prej shkollave në Komunën e Prizrenit, thuhet në Komunikatën për media nga ana e LVV-së në Prizren.
“Siç e dijmë të gjithë, konkursi për Sekretar të shkollave i shpallur më 13.05.2022, për shkak të parregullësive dhe shkeljeve të mëdha ligjore është anuluar me datë 30.09.2022. Konkursi i anuluar me Nr. RN00009016 është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, për të cilin ende nuk e kemi marrë një përgjigje se çka është duke ndodhur me të!
Mirëpo, konkursi i cili është duke u hetuar nga Prokuroria për shkak të parregullësive dhe shkeljeve ligjore për pozitën Sekretar në shkolla, është rishpallur për herë të dytë. Nga përzgjedhja e kandidatëve fitues vërejmë se janë pothuajse të njëjtit persona të cilët kanë qenë të përzgjedhur si kandidatë fitues në konkursin e parë i cili është anuluar.
Kandidatë fitues në konkursin e rishpallur po del të jenë persona të afërt me PDK – në e cila udhëheqë me pushtetin komunal si dhe asambleistë te Kuvendit Komunal të cilët vazhdimisht kanë pretenduar se gjoja janë të pavarur në vendimet dhe veprimet e tyre, mirëpo vota e tyre e kushtëzuar pro pushtetit komunal po shpërblehet me favore dhe pozita të punës si Sekretar të shkollave. Të gjithë kandidatët e përzgjedhur i kanë nënshkruar kontratat e tyre dhe kanë filluar punën si sekretarë të shkollave. Kjo përzgjedhje e kandidatëve fitues është bërë në mostransparencë të plotë. Të gjithë kandidatët fitues e kanë filluar punën e tyre si sekretarë të shkollave ende pa u bërë publikimi i listës së kandidatëve fitues në konkursin e rishpallur për sekretarë të shkollave dhe ende pa e pasur një përgjigje dhe vendim final nga organet e drejtësisë për konkursin e parë më Nr. RN00009016.
Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga organet e drejtësisë që të hetohet mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve fitues në konkursin e rishpallur për Sekretar në shkolla të Komunës së Prizrenit. Gjithashtu, ftojmë të gjitha mediat lokale dhe nacionale të hulumtojnë dhe të publikojnë të gjitha shkeljet ligjore në konkursin e rishpallur për sekretarë të shkollave!
Ne dënojmë kategorikisht këto praktika të mostransparencës, shkeljeve dhe parregullësive ligjore në përzgjedhjen e zyrtarëve publik, në këtë rast të “Sekretarëve të Shkollave” në Komunën e Prizrenit”, thuhet në komunikatë./04 Online