Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se do ta pranoj ftesën e kryeministrit Albin Kurtit për takim.
Kreu i LDK-së, thotë se ka pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogujt.
Në një postim në Facebook, i pari i LDK-së ka thënë se publiku kosova ndërsa, mbetet ende i painformuar mbi këtë proces, siç mbetet i painformuar edhe Kuvendi i Kosovës.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë.
Kam pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut. Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë – të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier; sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut.
Publiku kosovar ndërsa, mbetet ende i painformuar mbi këtë proces; siç mbetet i painformuar edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dy javë pas takimit në Bruksel, kryeministri ka zgjedhur të informoj spektrin politik në vend. Këtë qasje të mbyllur e kemi kritikuar gjithherë edhe kur ky kryeministër ndante opozitën me ne.
Qëndrimi ynë për dialogun është i qartë dhe i pandryshueshëm. Ne besojmë se dialogu është interes kombëtar i Kosovës, dhe jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë. Besojmë se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj. Po ashtu, besojmë se dialogu i copëzuar, për tema teknike e jo për kornizën e gjithmbarshme, është në interes të Serbisë edhe atëherë kur arrihen fitore të pjesshme për ne. Sot Kosova duhet të ulet e insistojë për marrëveshjen finale, me SHBA-të dhe BE-në si garantuese të saj. Është detyrë e kryeministrit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese në përmbylljen e këtij procesi vital për shtetin tonë. LDK do të mbështesë çdo marrëveshje finale që plotëson të tri kriteret e padiskutueshme: 1) respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës; 2) ruajtjen e integritetit territorial të vendit; dhe 3) sigurimin e njohjes reciproke. Këtë qëndrim do t’ia bëjë të qartë kryeministrit Kurti.
Të dashur qytetarë,
Kemi mbështetur vendimet që synojnë shtrirjen e ligjshmërisë e mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Nga tema e referendumit e deri tek ajo e reciprocitetit, LDK ka dhënë mbështetje të qartë dhe të menjëhershme në komunikim të brendshëm. Të njëjtin mesazh mbështetjeje e kemi përçuar në çdo komunikim tonin me faktorin ndërkombëtar.
Kjo mbështetje nga eksponentë të partisë në pushtet është përdorur me qëllime keqinformimi, sa të jepej përshtypja se relacioni s’bëhet me Serbinë por me opozitën në vend; ndërsa nga zërat kritik të shoqërisë mbështetja jonë është parë si shenjë e opozitarizmit të dobët. Të vetëdijshëm mbi kritikat dhe mospajtimet rreth qasjes sonë, për dallim nga e kaluara jonë polarizuese që ky pushtet e ka ushqyer gjithmonë, ne kemi zgjedhur që përballjen për sovranitet e ligjshmëri kundrejt Serbisë të mos e bëjmë temë nacionale në Kosovë. Shtetin dhe pushtetin e dallojmë në thelb të veprimit tonë politik. Jo se është dalluar në të shkuarën, por s’jemi si ta, s’duam të bëhemi si ta.
Gjithsesi, presim që këtë interes kombëtar tonin, institucionet e vendit ta ushtrojnë në dialog në koordinim të plotë me aleatët tanë ndërkombëtar – në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – dhe se çdo devijim nga ky synim, çdo vonesë në këtë drejtim, është me pasoja të mëdha për vendin tonë dhe të ardhmen euroatlantike që Kosova synon.