Manchester United i pafuqishëm për të përballuar furinë e Liverpoolit. “The Reds” triumfuan 4-0 në “Anfield” e vlefshme për javën e 30-të (e prapambetur) të Premier League-s, në sfidën ku mungoi Cristiano Ronaldo, që humbi të birin e sapolindur.
Një ndeshje pa shumë histori mes rivalëve historikë, pasi skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp, tashmë në krye të kampionatit me dy pikë më shumë se Manchester City, dominoi ndaj “Djajve të Kuq”, duke e mbyllur praktikisht ndeshjen brenda 22 minutave lojë.
E zhbllokoi takimin që në minutën e 5-të kolumbiani Luiz Diaz që u shërbye nga Salah, për të ardhur më pas te goli i “Faraonit”, që në këtë rast pati bashkëpunimin e Manesë.
I çliruar psikologjikisht, Liverpooli shënoi një tjetër gol, atë të 3-0, me Mane në minutën e 68-të, gol që “vrau” përfundimisht shpresat e Manchester Unitet për të marrë pikë në “Anfield”. Por Liverpooli nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit, pasi në të 85-tën Salah, I shërbyer nga Jotta, vulosi suksesin e thellë 4-0 të vendasve. Më këtë disfatë “Djajtë e Kuq” humbin terren në garën për zonën Champions./SS