Ligji i ri për paga në sektorin publik, parasheh që kryetarët e komunave të Kosovës të paguhen në bazë të numrit të banorëve që ka komuna që ata udhëheqin.
Sipas këtij ligji, i cili pritet të hyjë në fuqi pas një muaji, paga e kryetarit të kryeqytetit do të jetë më e larta.
Koeficienti i kryetarit të kryeqytetit sipas këtij projektligji është 15.
Ndërsa, për dy numra më pak, pra 13 është koeficienti i kryetarëve të komunave që kanë mbi 100 mijë banorë.
12.8 është koeficienti për kryetarët që udhëheqin komunat që kanë 70 mijë deri në 100 mijë qytetarë.
Ndërsa kryetarët e komunave që kanë prej 50 mijë deri në 70 mijë qytetarë e kanë koeficientin 12.6.
12.4 është koeficienti për kryetarin e komunës që ka 30 mijë deri në 50 mijë qytetarë.
Për 0.2 më pak është llogaritur të jetë koeficienti i kryetarit të komunave që kanë 20 mijë deri në 30 mijë qytetarë.
12 është koeficienti për komunën që ka nga 10 mijë deri 20 mijë qytetarë ndërsa të fundit me koeficient 11.8 radhiten kryetarët e komunave të Kosovës në të cilat numri i popullsisë është më pak se 10 mijë qytetarë.
Sipas Ligjit për paga, dallime në mes të koeficienteve në bazë të numrit të banorëve do të ketë edhe për kryesuesin e Kuvendit Komunal në secilën komunë të Kosovës.
E njëjta ndarje vlen edhe për Drejtor të Drejtorisë, zv. Kryesues i Kuvendit Komunal dhe Anëtarë të Kuvendit Komunal.
Sipas këtij ligji, nënkryetari i kryeqytetit do të ketë koeficientin 13.
Ndërsa për nënkryetarët e komunave tjera koeficienti është nga 11 deri në 9.8 në bazë të ndarjes për numër të banorëve që ka komuna.
Vlera e koeficientit përmes të cilit caktohen pagat e zyrtarëve publikë ende nuk dihet zyrtarisht, ndonëse Ligji për Pagat më 5 janar është publikuar në gazetën zyrtare pas dekretimit nga presidentja. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në gazetën zyrtare.
Nga Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka bërë të ditur se vlera monetare e koeficientit pritet të caktohet gjatë këtij muaji.
“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”- ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.
Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.
Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.
Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj./Kallxo.com/