I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka diskutuar mbi procesin e normalizimit dhe hapat e mëtejmë pas takimit në Bruksel, me kryeministrin Albin Kurti.
Lajçak ka thënë se ka dakordim për hapat që do të merren më tutje, ndërkohë që paralajmëroi se të premten do të jetë në Beograd.
Ai ka shtuar se duhet të ketë qartësi për hapat e mëtejmë.
“Patëm një diskutim shumë intens, por shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm me kryeministrin Kurti”.
Lajçak ka thënë se gjatë ditës do të jetë edhe në veri të Kosovës, sipas tij, për ta kuptuar dhe parë “vetë situatën atje” duke shpresuar se “do të ketë një zgjidhje politike për t’u fokusuar në normalizim dhe marrëveshje”.
“Ne mund të kemi ose normalizim, ose konflikt. Sigurisht se ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi, nuk është në interesin e askujt”.