Lajçak: Asociacioni nuk e dobëson Kosovën, kemi 16 modele evropiane në tavolinë

0
148

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për rezultatet e takimit në Bruksel të hënën. Lajçak tha se prej pikave më të diskutuara, që është Asociacioni, Kosova nuk duhet të ketë frikë, pasi shtoi se ekzistojnë 16 modele funksionale që dëshmojnë qartë që një bashkësi e tillë nuk cënon funksionalitetin e shtetit.

Emisari Miroslav Lajçak, Asociacionin e komunave me shumicë serbe e konsideron si obligim ndërkombëtar i Kosovës, që ka ekzistuar gati dhjetë vite, e jo si diçka që është “zbuluar” së fundmi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Le të fillojmë me fakte. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit e cila është arritur dhe nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2013; i njëjti është ratifikuar në Kuvend, që nënkupton se është obligim ndërkombëtar i Kosovës. Pra, nuk është diçka që është zbuluar dje ose vitin e kaluar, është diçka që ka ekzistuar për gati 10 vjet. Prandaj dhe duhet të implementohet”, deklaroi Lajçak në intervistë për Atlantic Council.

Ai tha se do kishte dashur që të ketë më tepër diskutim mbi Asociacionin brenda kornizave të dialogut, sesa deklarata të karakterit publik.

“Ne kemi përsëritur në dokumentet tona që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara paraprakisht duhet të implementohen. Kushti në fjalë [Asociacioni] ka marrë vëmendje të madhe dhe po diskutohet shumë në diskursin publik. Do të doja të shihja më pak diskutim publik, ndërsa më tepër diskutim në kuadër të dialogut, sepse aty duhet të definohen parametrat e Asociacionit”.

Lajçak tutje theksoi se parametrat e asaj se si do të zhvillohet struktura e Asociacionit do t’i caktojnë vetë Kosova dhe Serbia.

“Do të jetë në duar të Kosovës dhe Serbisë që të pajtohen se çka do të jetë, dhe çka nuk do të jetë. Nuk duhet të kemi frik nga diçka që s’është ende në agjendë. Në procesin e dialogut, Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta. Asnjëra palë s’mund të imponojë vullnetin e saj ndaj palës tjetër kundër vullnetit të saj”, shtoi Lajçak.

Sipas tij, ekzistojnë modele ekzistuese evropiane të ngjashme me Asociacionin e komunave me shumicë serbe që kanë forcuar funksionalitetin e shtetit, e jo dobësuar atë.

“Po flasim me partnerët tanë për modele ekzistuese që po forcojnë funksionalitetin e shteteve dhe jo dobësimin, prandaj mendojmë se s’duhet të ketë frikë. Askush s’ka për interes të dobësojë funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta shohim jo si kërcënim a dënim a kompromis, por obligim në njërën anë dhe duhet të shihet edhe si ndërtim i mirëbesimit të serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës dhe definim të qartë të raporteve të Qeverisë së Serbisë me serbët e Kosovës sipas standardeve evropiane”, deklaroi emisari i BE-së.

Lajçak po ashtu shtoi se edhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Asociacioni duhet themeluar. Dallimin, sipas tij, e bëjnë parametrat e caktuara brenda kësaj pike, që Lajçak përsërit se i vendosin Kosova dhe Serbia vetë në kuadër të procesit të dialogut. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here